EUROBASKET 2015-KUALIFIKIMET

Maqedonia me sukses i filloi kualifikimet për në “Eurobasket 2015”

11.08.2014 17:15

Reprezentacioni i Maqedonisë në basketboll mbrëmë e fitoi kombëtaren e favorizuar të Belgjikës në fillim të ciklit kualifikues për Kampionatin evropian 2015........

Të përzgjedhurit e seleksionuesit Aleksandar Xhikiq festuan pas vazhdimit me 76:73 (16:19; 7:17; 22:13; 17:13; 14:11).

Ky triumf i cili mund të jetë vendosës për plasmanin e basketbolistëve të Maqedonisë në edhe një KE është realizuar me kthesën në gjysmëlojën e dytë, pas epërsisë së madhe të belgëve pas 20 minutave të para i cili ishte 13 pikë (36:23).

Në periudhën e tretë me seri prej 12:2 basketbollistët e Maqedonisë kapën lidhje të rezultatit, ndërsa në katër minutat para fundit e kishin edhe epërsinë e parë (58:56).

Dyzet minutat kryesore përfunduan me 62:62, ndërsa pikët kyçe në pesë minutat shtesë për gëzim të madh të 4.000 të pranishmëve në QS “Boris Trajkovski" i arritën Marko Simonovski në tre sekonda para fundit të vazhdimit.

Më meritorë për fitoren e Maqedonisë ishin Vojdan Stojanovski dhe Bojan Trajkovski me nga 16 pikë, Aleksandar Kostovski me 14 pikë 7 kërcime dhe 4 asistime dhe Rixhard Hendriks me 8 pikë dhe 11 kërcime. Më efikas në përbërjen e mysafirëve ishte Aksel Hervel me 17 pikë.

Në ndeshjen e parë nga Grupi D Bjellorusia bindshën e fitoi Danimarkën me rezultat 97:72. Maqedonia në tre takimet e ardhshme do të jetë mysafire, ndërsa sfida e parë e pret të mërkurën kundër Danimarkës.