Maqedoni
Konferencë kushtuar ndotjes në AShAM, Fiti: Rregullativa ligjore e mirë, ngec implementimi
01.11.2018 16:47
Problemi me ndotjen e ajrit ende nuk po gjen zgjidhje edhe përkundër rregullativës së mirë ligjore për mbrojtjen e ambientit jetësor në Maqedoni....

Problemi me ndotjen e ajrit ende nuk po gjen zgjidhje edhe përkundër rregullativës së mirë ligjore për mbrojtjen e ambientit jetësor në Maqedoni, e cila bazohet në standardet evropiane, pasi problem paraqet implementimi. Kështu u tha në konferencën shkencore të organizuar në Akademinë e Shkencave, ku përveç ndotjes së ajrit, u theksua edhe niveli i lartë i ndotjes së ujit dhe tokës bujqësore. Kryetari i Akademisë, Taki Fiti, vlerëson se shteti duhet të ndërmarrë masa më të ashpra ndaj kompanive që ndotin ambientin.
“Kur i lexoni ligjet dhe aktet nënligjore, gjithçka është sipas standardeve evropiane, me qasje moderne si të luftojmë ndotjen. Problemi gjeneral është implementimi, nuk po implementohen ligjet. Kjo po shihet qartë. Nuk mjafton të keni rregullativë të mirë nëse atë nuk e implementoni”,- tha kryetari i AShAM-it, Taki Fiti.
Për tejkalimin e problemeve me ndotjen duhet të angazhohen të gjithë faktorët e shoqërisë dhe shtetit, theksojnë nga Ministria e Ambientit.
“Raportet flasin se burime të ndryshme të ndotjes janë të barabartë. Nuk mund të definohet se cili segment shkakton ndotje më të lartë komunikacioni, ngrohja apo industria. Të fillojmë me implementimin e masave të thjeshta të cilat mund t’i implementojmë menjëherë e që kanë ndikim më të madh ndaj uljes së ndotjes”,- tha një përfaqësuesja e Ministrisë së Ambientit.
Si shkaktar i ndotjes u theksuan grumbullimi i mbeturinave, uzurpimi i hapësirave të gjelbra për ndërtimin e objekteve të banimit, numri i madh i veturave dhe lëndët për ngrohje.
GYLTENE SINANI
