Maqedoni

Nis punën ATO, Angellovski: Nuk do të përsëriten “bombat”; Spasovski: Nuk ka keqpërdorime të komunikimeve

01.11.2018 17:10

Nisi me punë Agjencia Tekniko Operative për mbikëqyrjen e sistemit të komunikimeve....

Drejtori, Zoran Angellovski, premton se “bombat” nuk do të përsëriten. ATO për momentin disponon me kuadër të MPB-së, katër nga Byroja për siguri publike dhe tre nga DSK. Angellovski garanton se ata nuk janë pjesë e skandalit të përgjimeve. Të punësuarit tjerë do të zgjidhen me konkurs.
 
“Ju siguroj se nuk ekziston mundësi teorike dhe as praktike për keqpërdorim të mekanizmave të PI masave. Garantoj edhe për personat që kam marrë. Ata janë përzgjedhja ime personale. Për momentin jam me ata shtatë, do të jetë pak vështirë në dy muajt e parë pasi që rregullativa ligjore më imponon nevojën e shpalljes së konkursit publik dhe ndjekjes së afateve”,- tha drejtori i ATO-s, Zoran Angellovski.
 
Ministria e Brendshme dhe DSK nuk do të kenë qasje deri tek pajisjet e përgjimit dhe përmbajtja. Agjencia nuk do të mund të dëgjojë bisedat e as t’i shfrytëzojë ato, por do të jetë vetëm ndërmjetës midis kërkuesit dhe personit që përgjohet. Përgjimi do të regjistrohet me numër pa u dhënë identiteti.
 
“Sot mundësojmë kontroll në më shumë shkallë të komunikimeve. Do të kontrollojnë Komisioni parlamentar, organizatat qytetare, por edhe ekspertët. Para një viti premtuam se dobësia kyçe për keqpërdorime të sistemit të komunikimeve do të mënjanohet. Sot e mundësuam këtë”,- tha ministri i brendshëm, Oliver Spasovski.         
                                                                               
Punën e ATO-s do ta kontrollojë Prokuroria Publike, Gjykata Supreme dhe Avokati i Popullit. Në sinjalin  e ATO-s së shpejti do të kyçen Byroja për siguri publike, DSK, Policia financiare dhe Drejtoria e doganave, Drejtoria për Kundërzbulim Ushtarak dhe ekipi hetues i Prokurorisë. ATO është trup i pavarur financiarisht, i formuar si nevojë e reformave urgjente të sigurisë të kërkuara nga grupi i ekspertëve të Pribesë.
 
MERAL ISMAILI