Maqedoni
Përfaqësues të pushtetit qendror dhe lokal: të shqyrtohen mundësi të reja financimi
01.11.2018 17:37
Borxhi i komunave aktualisht arrin në 100 milionë euro dhe për pasojë disa komuna përballen me xhirollogari të bllokuara....

Për të mos ardhur deri te nevoja që pushteti qendror të jetë i detyruar të intervenojë për shlyerjen e borxheve të komunave, siç parashihet me rebalancin e buxhetit që është në procedurë parlamentare, përfaqësues të pushtetit qendror dhe atij lokal, vlerësojnë se duhet shqyrtuar mundësi të reja për financimin e komunave.
“Para fillimit të decentralizimit borxhi i komunave ishte 51 milion euro, që është dëshmi se borxhet janë shkaktuar që para fillimit të decentralizimit, e që mund të datojë që nga koha e ish Jugosllavisë. Ashtu siç kanë fituar kompetenca të reja komunat, logjikisht janë rritur edhe borxhet e komunave. Ministria e Financave ka bërët të ditur se aktualisht borxhi i komunave arrijnë në 100 milion euro”,- tha kryetari i Shkupit, Petre Shilegov.
“Kemi disa analiza krahasuese që janë bërë se si është mënyra e financimit në Poloni, Suedi dhe të shihet një modus se a mundet ndonjë nga ato mënyra të aplikohet në Maqedoni apo këto formula që janë për momentin aktiv, duhet të pësojnë disa ndryshime të vogla për të ndihmuar më së shumti mënyrën e arritjes së bllok donacioneve deri te komuna”,- u shpreh ministri i pushtetit lokal, Suhejl Fazliu.
Ministri i arsimit, Arbër Ademi, tha se në dikasterin e tij arrijnë ankesa se bllok grandet nuk ndahen në mënyrë të barabartë sipas kritereve aktuale.
“Ne si pushtet qendror duhet të mendojmë në këtë drejtim. Gjithsesi, edhe pushteti lokal të shfrytëzojë formulën e njëjtë gjatë shpërndarjes së financave nëpër shkolla, vërejtje të tilla na arrijnë çdo ditë, se ndonjë shkollë favorizohet e disa të tjera jo. Besoj përmes një dialogu të tillë do të mund të gjejmë zgjidhje”,- u shpreh Arbër Ademi.
Ministri i Kulturës, Asaf Ademi, thotë se komunat nuk janë të interesuara që të marrin përgjegjësi në sferat e kulturës.
“Nga analizat që kemi bërë, vetëm 20 komunat janë përgjigjur në kërkesën tonë që ta shprehin gatishmërinë e tyre për marrjen e kompetencave në nivel të tyre, ku 10 prej tyre përgjigjen se pjesërisht është negative, ndërsa 10 të tjera janë absolut negative. Ka komuna që aspak nuk janë të interesuar që t’i marrin kompetencat në sferat e kulturës”,- tha ministri i kulturës, Asaf Ademi.
Racionalizim, transparencë, por dhe sanksione duhet parashihen në të ardhmen, u tha ndër të tjera në tryezën e rrumbullakët me temë “Sfidat në sistemin financiar të kompetencave të komunave”.
REJHANE BUSHI METAJ
