Ekonomi
Debati rreth rebalancit, po shqyrtohen 187 amendamentet
01.11.2018 17:50
Anëtarët e Komisionit për financa dhe buxhet, në kuadër të debatit rreth rebalancit po shqyrtojnë 187 amendamentet e propozuara....

Opozita parashtroi amendament për ndarje të mjeteve në lartësi prej 30 milion denarësh për ndërtimin e zonës industriale në Kumanovë. Ministri, Dragan Tevdovski, tha se amendamenti nuk pranohet për shkak se në buxhet veç më janë planifikuar mjete për ndërtimin e ZTI-së në Kumanovë. Por, opozita akuzoi se ende nuk është realizuar asnjë projekt në Zonën Industriale në Kumanovë dhe se mungojnë investimet.
“Dua të rikujtoj se gjatë këtyre dy viteve derisa është LSDM në pushtet, termi zonë teknologjike industriale po harrohet, për shkak se për të përmendur këtë term duhet të ketë ndonjë investim të huaj që të investojë nëpër këto zona. Për fat të keq, viteve të fundit investime të huaja në Maqedoni nuk ka”,- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dime Stefanangjia.
Për pushtetin investimet e huaja në gjysmëvjetorin e këtij viti janë më të larta në krahasim me vitet tjera, kur në pushtet ishte VMRO-DPMNE.
“Prej datës 31.05.2017 deri më 31.10.2018, gjendja është si vijon. Janë nënshkruar 11 marrëveshje me kompani për blerje të tokave shtetërore, janë nënshkruar pesë marrëveshje për ndihmë shtetërore. Ka edhe kompani të cilat në periudhën e ardhshme janë edhe tetë kompani të cilat do të nënshkruajnë marrëveshje për ndihma shtetërore”,- theksoi Dime Velkovski nga LSDM.
Në debat u pranua amendamenti për t’iu ndarë 5 milion denarë Sekretariatit për çështje evropiane për ditën e alfabetit të gjuhës shqipe.
“Me këtë amendament propozohet të sigurohen mjete prej 5 milion denarë për shënimin e 22 nëntorit. Tua përkujtoj kolegë se në programin që edhe parlamenti për shënimin e manifestimeve për datat e rëndësishme është edhe 110 vjetori nga mbajtja e kongresit të unifikimit të alfabetit të gjuhës shqipe”,- tha Rexhail Ismaili nga BDI.
“Amendamenti pranohet”,- u shpreh ministri i financave, Dragan Tevdovski.
Ministri, Dragan Tevdovski, e pranoi edhe amendamentin e propozuar për mjete shtesë për ATO-n. Sipas propozimit të Qeverisë, rebalanci i buxhetit ka ulur të ardhurat dhe shpenzimet me 0.5 për qind. Deficiti buxhetor qëndron në 2.7 për qind.
ERSAN PAJAZITI
