Kulturë
Promovohet trilogjia për Skënderbeun nga Avni Dehari, shpërndahet falas për nxënësit
01.11.2018 18:25
Në kuadër të aktiviteteve për vitin e Skënderbeut, në përkujtim të 550 vjetorit të vdekjes së tij, u promovua trilogjia....

Në kuadër të aktiviteteve për vitin e Skënderbeut, në përkujtim të 550 vjetorit të vdekjes së tij, u promovua trilogjia “Gjergjat në drita përkrenaresh” të autorit, Avni Dehari. Kjo vepër do kontribuojë në pasurimin e fondit për figurën e heroit tonë legjendar, Gjergj Kastriotit Skënderbeu, vlerëson autori, Anvi Dehari.
“Unë e kam bërë librin, por një punë shumë të madhe kanë bërë edhe organizatorët e këtij përurimi që kanë marrë përsipër jo vetëm ta botojnë këtë libër, por edhe ta shpërndajnë në biblioteka, shkolla, madje edhe falas, sepse libri ofrohet për fëmijë dhe të rinj dhe kjo më gëzon më shumë sesa ky libër të ishte shitur me miliona euro”,- tha autori i trilogjisë “Gjergjat në drita përkrenaresh”, Avni Dehari.
Autori me mjeshtëri të rrallë përshkruan mesjetën shqiptare dhe epokën e heroit tonë kombëtar, ndërsa nxënësit do të kenë mundësi që falas të pajisen me këtë trilogji, u tha me këtë rast.
“Brezat e tashëm dhe të ardhshëm të lexuesve të të gjitha moshave, veçanërisht fëmijët dhe të rinjtë, do ta kenë më të afërt, më të gjallë dhe më kumbuese epokën e artë të Gjergj Kastriotit Skënderbeut falë kësaj trilogjie”,- u shpreh redaktori, Rushit Ramabaja.
“Për Gjergj Kastriotin ka shumë monumente madhështore të derdhura në bronz, në sheshet e Tiranës, Krujës, Prishtinës, Shkupit, Romës, Zvicrës, edhe kjo trilogji është një monument i derdhur me fjalë zemre prej gjuhës sonë shqipe, asaj gjuhe që buronte e gjëmonte në gojën e heroit tonë legjendar”,- tha profesori, Shaip Emërllahu.
“Prej sot, ky libër, me vendim të promotorit të këtij promovimi, do të shpërndahet falas në të gjitha shkollat shqipe në Maqedoni dhe ne kemi ftuar përgjegjës e drejtorë shkollash që të shpërndajnë librin në shkollat e tyre”,- theksoi deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi.
Trilogjia “Gjergjat në drita përkrenaresh” u promovua nën patronazhin e liderit të BDI-së, Ali Ahmetit, ndërsa u botua nga Shtëpia botuese “Orfeu” në Prishtinë.
FLUTURA LATIFI
