Maqedoni
Zaev konsulton grupin e deputetëve të pavarur, pritet formulimi i amendamenteve kushtetuese
01.11.2018 18:15
Propozim amendamentet e qeverisë për ndryshimet kushtetuese konform Marrëveshjes së Prespës....

Propozim amendamentet e qeverisë për ndryshimet kushtetuese konform Marrëveshjes së Prespës, nesër në formë të pakos pritet që të parashtrohen në Kuvendin Republikan.
Kryeministri, Zoran Zaev, për momentin në Kuvend ka filluar konsultimet e fundit me 8 deputetët e pavarur rreth pakos së tekst-amendamenteve, ku pritet që këta të fundit të japin dritën jeshile pasi të vlerësojnë nëse në amendamente janë përfshirë edhe kërkesat e tyre të cilat ishin kusht për votimin gjatë nevojës për ndryshime kushtetuese dhe votimin në fazat e ardhshme. Pas dakordimit kryeministri Zaev pritet që vendimin e arritur gjatë takimit ta bëjë të njohur edhe për opinionin.
Grupi i 8 deputetëve të pavarur kërkon që të garantohet identiteti maqedonas, të miratohet amendament me të cilin parashihet që të shfuqizohen ndryshimet kushtetuese nëse parlamenti grek nuk ratifikon Marrëveshjen e Prespës, si dhe emri për përdorim të brendshëm të zbatohet në faza gjatë procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në BE. Një kërkesë tjetër e 8 deputetëve opozitarë është formimi i trupit parlamentar për pajtim për të cilin duhet të punohet paralelisht me amendamentet kushtetuese.
