Maqedoni
Pr/amendamentet e qeverisë, Zendeli: Vazhdon forcimi i koncepti etnocentrik; Kançeska: Qeveria i pranoi kërkesat tona
02.11.2018 17:42
Projekt amendamentet e Qeverisë për ndryshimin e kushtetutës ngjallën edhe reagimet e para të subjekteve politike dhe grupeve parlamentare.....

Përderisa grupi i ri i VMRO-DPMNE-së shprehet i kënaqur pasi janë pranuar propozimet e saj, deputetët e Lëvizjes Besa janë të zhgënjyer që propozimet e tyre nuk janë marrë në konsideratë.
“Me këto amendamente, të cilat sot Qeveria i parashtroi në Kuvend, forcohet edhe më tutje koncepti etnocentrik i shtetit Maqedoni, ku shteti u takon maqedonasve dhe gjithë të tjerët, në një farë mënyre, trajtohen si qytetarë ashtu siç është edhe amendamenti i ri për nenin 49, ku gjithë ne të tjerët trajtohemi si qytetarë. Me këtë qeveria tregoi se nuk ka ndryshuar mentalitetin e funksionimit të saj nga qeveritë e më hershme nga të cilët gjithmonë janë injoruar kërkesat e shqiptarëve”,- deklaroi deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli.
Grupi i ri parlamentar i VMRO-DPMNE-së njoftoi se do të jetë konstruktiv gjatë këtij procesi, pasi qeveria ka pranuar udhëzimet për ndryshimet kushtetuese në drejtim të ruajtjes së identitetit maqedonas dhe shfuqizimin e të gjitha amendamenteve në rast se Greqia nuk e ratifikon Marrëveshjen në Kuvend dhe nëse sërish i bllokon euro-integrimet e Maqedonisë.
“Kërkesat tona ishin që të pranohet amendament në Kushtetutë me të cilin do të garantohet identiteti maqedonas. D.m.th. kjo kërkesë do të futet në nenin 49 të Kushtetutës së RM-së, ku propozimi ynë që do të jepet si propozim/amendament është se Republika e mbron dhe garanton trashëgiminë historike dhe kulturore të popullit maqedonas. Kërkesa e dytë ishte pranimi i një dispozite të kushtetutës me të cilën garantohet se nëse Republika e Greqisë nuk e ratifikon Marrëveshjen dhe sërish pengon integrimet euroatlantike të RM-së do të ketë shfuqizim të pakusht të të gjitha ndryshimeve kushtetuese që burojnë nga zbatimi i Marrëveshjes së Prespës”,- tha koordinatorja e grupit të ri parlamentar të VMRO – DPMNE-së, Elizabeta Kançeska - Mileska.
Qeveria në arsyetimin për ndryshimet kushtetuese sqaron se qëllimi i këtyre ndryshimeve të Kushtetutës është zbatimi i Marrëveshjes me Greqinë më të cilën duhet të mundësohet qasja e Republikës së Maqedonisë në Unionin Evropian dhe në NATO.
SHPËTIM NUREDINI
