SHBA rivendos sanksionet ndaj Iranit, Rusia: Sanskionet amerikane të ‘paligjshme’

03.11.2018 13:12

Administrata e Presidentit Donald Trump njoftoi mbrëmë rivendosjen e të gjitha sanksioneve të Shteteve të Bashkuara mbi Iranin.....

Administrata e Presidentit Donald Trump njoftoi mbrëmë rivendosjen e të gjitha sanksioneve të Shteteve të Bashkuara mbi Iranin, të cilat ishin hequr nën marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Sanksionet do të hyjnë në fuqi të hënën dhe mbulojnë sektorët të tillë si transporti, sektori financiar dhe ai energjetik i Iranit. Ky është grupi i dytë i sanksioneve që administrata rivendos që kur Presidenti Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja historike në muajin maj. 

Sekretari i shtetit Mike Pompeo tha se sanksionet "synojnë të ndryshojnë rrënjësisht sjelljen e Republikës Islamike të Iranit". Ai publikoi një listë me 12 kërkesa që Irani duhet të plotësojë nëse dëshiron heqjen e sanksioneve. Ato përfshijnë dhënien fund të mbështetjes për terrorizmin, dhënien fund të angazhimit ushtarak në Siri si dhe ndalimin e plotë të prodhimit të raketave bërthamore dhe balistike.

“Presioni maksimal nënkupton presionin maksimal”, tha sekretari Pompeo. Por Ministri i Energjisë së Rusisë, Alexander Novak, ka thënë se Moska do ta mbështesë Iranin për të kundërshtuar sanksionet e SHBA-së.

Në një intervistë për gazetën “British Financial Times”, Novak tha se Rusia po kërkon të vazhdojë tregtimin e naftës së papërpunuar iraniane edhe përtej të hënës pasi Moska i konsideron sanksionet amerikane si “të paligjshme”.