Botë

Kurz: Nëse Kosova e Serbia arrijnë marrëveshje, BE mbështet korrigjimin e kufirit

06.11.2018 15:46

Bashkimi Evropian mbështet korrigjimin e kufirit apo shkëmbimin e territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë....

Bashkimi Evropian mbështet korrigjimin e kufirit apo shkëmbimin e territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar në Prishtinë kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, pas takimit me presidentin, Hashim Thaçi. Një marrëveshje mes të dyja shteteve do të ndikonte në arritjen e paqes, sigurisë, stabilitetit e qëndrueshmërinë afatgjate në rajon, thekson kancelari austriak.
 
“Askush nuk do të jetë kundër asnjë marrëveshje. Austria do të pajtohet me cilëndo marrëveshje që arrihet mes Kosovës dhe Serbisë. Nga ana jonë do ta ketë mbështetjen e plotë, edhe nëse është korrigjimi i kufijve apo shkëmbimi i territoreve, pra këtë marrëveshje do ta mbështes BE-ja. Për të arritur paqe, siguri në Ballkanin Perëndimor, një gjë është shumë e rëndësishme: një dialog i suksesshëm mes Beogradit dhe Prishtinës dhe përfundimi i dialogut me marrëveshje të përbashkët. Lus të gjithë qytetarët që ta mbështesin këtë projekt sepse është hap i nevojshëm drejt perspektivës evropiane”,- deklaroi kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz.
 
Marrëdhëniet e mira me fqinj janë qenësore në kontekst të integrimit evropian të Kosovës dhe Serbisë, deklaroi me këtë rast presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
 
“Kosova mbetet thellësisht e përkushtuar në dialogun me Serbinë, për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që nënkupton normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimit që nënkupton njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. Jam i bindur që marrëveshja gjithëpërfshirëse do të sjellë paqe të qëndrueshme për popujt tanë dhe paqe dhe stabilitet për Ballkanin Perëndimor dhe të ardhme të sigurt evropiane për dy vendet tona”,- u shpreh presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. 
 
Qëndrimin për mbështetjen e marrëveshjes Kosovës-Serbi që do të përfshinte edhe korrigjimin e kufirit apo shkëmbimin e territorit, kancelari austriak, Kurz, e ka përsëritur edhe në takimin me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili njihet si kritik i qëndrimit të presidentit Thaçi.
 
GYLTENE SINANI