Maqedoni
Tragjedia në Gostivar, i jepet lamtumira e fundit gjimnazistes 17 vjeçare
06.11.2018 17:34
Iu dha lamtumira e fundit gjimnazistes 17 vjeçare, Xhejha Mexhiti, nga fshati Zdunjë e Gostivarit....

Iu dha lamtumira e fundit gjimnazistes 17 vjeçare, Xhejha Mexhiti, nga fshati Zdunjë e Gostivarit, e cila dje rreth orës 19 e 15 minuta, pas sulmit nga një tufë qensh endacakë, gjeti vdekjen në ujërat e lumit Vardar.
Babai i 17 vjeçares Mexhiti, theksoi se ndjehet shumë keq për rastin tragjik, ndërsa apelon që të ndërmerren masa që të mos përsëriten raste të tilla. Prindi i vajzës u shpreh i shokuar nga tragjedia në të cilën pësoi vajza e tij dhe apeloi për marrjen e masave që raste të ngjashme të mos ndodhin në të ardhmen.
“Ky rast nuk kthehet më asnjëherë në jetë, e humba fëmijën dhe çfarë të them, kushdo kush vjen nuk ka çfarë të ndihmojë. Nesër edhe me ari po ta bëjnë atë shtratin e lumit atë fëmijë nuk ma kthen, e kotë është. Është mirë të bëhet apel të tjerëve të mos u ndodh, se më keq nuk ka ku shkon”,- deklaroi prindi i vajzës.
“Nuk është rasti i parë këtu me këto qen që ndodh, ky rast ka ndodhur shumë herë, po ka shumë familje që edhe nuk e tregojnë, nuk e dinë ku të ankohen me këta qen. Ja, siç e shihni, qentë nëpër fshat plot kemi dhe kjo është një katastrofë”,- tha një qytetar.
“Për momentin jemi të shokuar jo vetëm ne si fshat, por për këtë rast duhet të merren masa nga institucionet”,- theksoi një qytetar.
Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, përmes një reagimi në rrjetet sociale shprehu keqardhje për rastin tragjik.
“Kur mora vesh lajmin për mbytjen e Xhehjes u trishtova shumë nga rasti e pak nga rikthimi i traumës time familjare. Ndjej përgjegjësi të plotë si kryetar i komunës së këtij qyteti që të sqaroj se në mandatin tonë ne trashëguam një kope prej 400 qensh që kemi mundur t’i numërojmë vetëm në Gostivar, e jo më ata të cilët nuk kanë mundur të futen në statistikë. Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta ndaj familjes së vajzës si një vëlla që dje humbi motrën e tij për së dyti, do ju lutesha mos të hyjnë me drama politike ata që nuk e vrasin mendjen fare për dhimbjen e familjes apo atyre që kanë qenë të goditur nga fatkeqësi të tilla!”,- theksoi kryetari i Gostivarit, Arben Taravari.
Keqardhje shprehu edhe kryeministri, Zoran Zaev, ndërsa premtoi se kjo çështje do të zgjidhet duke ndryshuar legjislacionin komfor ligjeve evropiane.
“Po mendojmë të ndryshojmë legjislativën në vend në mënyrë më fleksibile, duke respektuar standardet ndërkombëtare me qëllim të një zgjidhjeje më të mirë të kësaj çështje. Për fat të keq, në Maqedoni ka pak qendra për përkujdesjen e qenve endacakë. Një mënyrë është përmes ndryshimit të legjislacionit, kurse tjetra duke dëgjuar me kujdes këshillat e veterinerëve dhe duke zbatuar indikacionet e tyre”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Policia e Gostivarit njoftoi se menjëherë pas denoncimit të rastit janë marrë të gjitha masat dhe aktivitetet për gjetjen e vajzës dhe rreth orës 22:30 vajza është gjetur pa shenja jeta në afërsi të urës në fshatin Balindoll.
ZEKIRIJA MEXHITI
