Maqedoni
Komiteti ushtarak i NATO-s skanon ARM-në, Shepro: Keni shënuar progres, vazhdoni; Shekerinska: Rikthyem shansin e humbur në 2008-n
06.11.2018 17:47
NATO filloi skanimin e Maqedonisë për të parë nga afër përgatitjet për anëtarësimin e vendit në Aleancë....

Përshtypjet fillestare janë se Maqedonia ka shënuar progres të theksuar në zbatimin e reformave. Delegacioni i Komitetit ushtarak të NATO-s, i cili po qëndron në një vizitë dyditore në vend, inkurajon vendin që të vazhdojë reformat duke ofruar bashkëpunim të ngushtë në arritjen e qëllimit pasi konsideron se stabiliteti i Maqedonisë dhe rajonit janë me rëndësi për NATO-n.
“Përfundimisht, gjatë vitit të kaluar, vendi i juaj shënoi progres domethënës në fushën e reformave ushtarake. Jemi këtu sot dhe nesër për të diskutuar këtë. Jemi të impresionuar nga niveli i fokusit strategjik, taktik dhe operacional që keni patë. Keni hartuar hartën për strategjinë e re të mbrojtjes dhe një plan për zbatim, që është shumë i rëndësishëm dhe, ne jemi këtu për të dëgjuar për këtë. Gjithashtu duhet theksuar se në këtë dokument, ju keni përqafuar standardet e NATO-s dhe ndërveprimit. Ne ju inkurajojmë që të vazhdoni këto reforma dhe ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me ju”,- tha gjenerali i NATO-s, Stiven Shepro.
Vizita e delegacionit të Komitetit ushtarak të NATO-s, sipas ministres së mbrojtës, është sinjal i fuqishëm se 29 vendet anëtare të NATO-s janë unike në qëndrimin që Maqedonia të bëhet anëtare e 30 e Aleancës. Sipas Shekerinskës, vendi e meriton këtë pasi ka rikthyer agjendën euroatlantike dhe ka zbatuar reformat.
“Opinioni, sot ka mundësinë të sheh me sytë e vet se anëtarësimi i vendit tonë në NATO nuk është larg dhe cak i paarritshëm. Mundësinë e humbur në vitin 2008 e kthyem në tryezë, fituam ftesën dhe fillimin e bisedimeve qasëse me aleancën më të fuqishme ushtarake dhe politike të kohës. Sot, Maqedonia është nikoqir i trupit më të vjetër, të përhershëm, të NATO-s pas Këshillit Veriatlantik. Ky trup është lidhja më e rëndësishme mes vendimeve politike dhe strukturës ushtarake të NATO-s”,- theksoi ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
Sipas autoriteteve vendore, vizita e Komitetit ushtarak të NATO-s është historike, pasi ndodh për herë të parë. Komiteti do të informohet për nivelin e zbatimit të reformave, aftësimin e Armatës konform standardeve të Aleancës. Sipas autoriteteve vendore, sivjet Maqedonia ka rritur pjesëmarrjen ushtarake në operacione paqësore jashtë vendi për 20%.
SHPËTIM NUREDINI
