Maqedoni

Mandati i Gruevskit, nesër mblidhet komisioni, vendimi brenda 15 ditësh

06.11.2018 17:57

Komisioni për çështje të mandatit dhe imunitetit nesër do të debatojë për marrjen e mandatit të deputetit, Nikolla Gruevski....

Komisioni në krye me kryetarin, Pavle Bogoevski, do të duhet që brenda 15 ditëve të vendosë se a do t’i propozojë kryeparlamentarit Xhaferi që t’i merret mandati ish kryeministrit pasi Gjykata Themelore e Shkupi 1 njoftoi se Gruevski ishte dënuar me dy vite burg. Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, në një deklaratë thotë se dhënien e konkluzës nga komisioni menjëherë do ta vendosë në rend dite si çështje.
 
“Unë e kam obligim ta vë në rend dite dhe të shqyrtohet në parlament dhe plenumi me 2/3 e votave duhet të vendosë nëse është propozimi për marrjen e mandatit, duhet të votojë me dy të tretat për marrjen e mandatit. Unë nuk mund të supozoj a do të votojnë a nuk do të votojnë të gjithë deputetët. Formalisht shumica parlamentare nuk ka 2/3 e votave dhe mbi atë bazë unë si kryetar parlamenti mund të supozoj që nuk kam dy të tretat, por e kam obligim ta nxjerr në rend dite në bazë të procedurave, në bazë të afateve që i parasheh rregullorja”,- theksoi kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
        
Ditë më parë grupi i pavarur i VMRO-së tha se nuk do të votojnë për marrjen e mandatit. Ndërkaq, sot avokatët e Gruevskit dorëzuar ankesë deri tek Këshilli Penal, ku kërkojnë shtyrje të dënimit me burg për ish kryeministrin për shkak të obligimeve si anëtar i Komisionit kushtetues në të cilin prej nesër duhet të nis debati për shqyrtimin e amendamenteve për ndryshimet kushtetuese. Madje, Gruevski personalisht ka kërkuar nga Talat Xhaferi konfirmim zyrtar se ai është anëtar i komisionit. Këtë e pohon edhe vetë Xhaferi, i cili ia ka nënshkruar vërtetimin.
 
Kjo është mundësia e fundit për Gruevskin që t’i shtyhet dënimi, para se lënda të shkojë në Gjykatën Supreme. Nëse këshilli e refuzon edhe këtë kërkesë, Gruevski do të duhet të paraqitet në burgun e Shutkës për vuajtjen e dënimit për shkak të blerjes së mercedesit luksoz. Për nesër në mbrëmje, para Gjykatës Penale janë paralajmëruar edhe protesta në mbështetje të Gruevskit.
 
MERAL ISMAILI