Maqedoni

Gjykimi “Target dhe Fortesa”, përgjimet jolegale kanë tejkaluar ato legale

06.11.2018 18:03

Inxhinieri dhe ish i punësuari në Drejtorinë për siguri dhe kundërzbulim, Gjorgji Lazarevski, në cilësinë e dëshmitarit, dëshmoi në gjykimin për rastin “Target dhe Fortesa”....

Përgjimet jolegale kanë qenë në numër shumë më të madh se ato që janë realizuar me urdhër gjyqësor, tha Llazarevski, i cili së bashku me kolegun e tij, Xvono Kostovski, kanë zbuluar aferën e përgjimeve masive jolegale. Ai sqaroi për mënyrën e përgjimit gjatë vitit 2006-2008 në sistemin “Vernit” me prejardhje izraele.
 
Ai theksoi se menjëherë pasi që është degraduar nga ana e shefit të ri të DSK-së, Sasho Mijallkov, në vitin 2006, ka marrë indikacione se është humbur vetëkontrolla nga kompetentët dhe se kanë filluar përgjimet jolegale. Para ndërprerjes së funksionimit të sistemit në vitin 2008, Llazarevski ka arritur të hyjë në sistem dhe të shohë se çfarë po ndodh.
 
“Isha në shoqëri me njerëzit që mbanin sistemin. Nga reagimet e tyre, por edhe nga vetë ambienti që u krijua në drejtori, vërejta se diçka po ndodh në pjesën e përgjimeve. Nga ky ambient që u krijua në vitin 2006-2008 krijova idenë të cilën e realizova në fund të vitit 2008, para se të tërhiqet sistemi “Vernit”. Shfrytëzova mundësinë të kyçem me një kabllo të lidhur me sistemin. Ndërsa për hyrje në sistem shfrytëzova fjalëkalimin që e dija prej më herët kur isha shef”,- tha Llazarevski.
 
Logot për hyrje në sistem kanë qenë me iniciale dhe sipas tij janë realizuar nga Sasho Mijallkov, Goran Grujovski dhe Nadica Nikoliq. Në listën e të targetuarve jolegalë që përgjoheshin kishte shumë persona publikë, politikanë të opozitës, ministrat, Mile Janakievski, me pseudonimin “Tugin”, si dhe Zoran Stavrevski dhe Gordana Jankullovska. Dyshimin se po përgjohen edhe ministra aktualë ia ka konfirmuar Cvonko Kostovski, i cili i ka thënë se nuk ka kush që nuk përgjohet.
 
Llazarevski tha se logot e kopjuara për përgjimet në vitin 2010 ia ka dhënë Verushevskit. Në këtë rast, përveç Sasho Mijallkovit, Gordana Jankllovskës dhe Toni Jakimovskit, akuzohen edhe 6 të punësuar të tjerë në DSK dhe ish shefi i Drejtorisë së pestë, Goran Grujovski, si dhe Nikolla Boshkovski.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI