Maqedoni

Kuvend, nesër debati për amandamentet kushtetuese

06.11.2018 18:12

Kuvendi nesër nis debatin mbi projekt-amendamentet rreth ndryshimeve kushtetuese....

Kreu i kuvendit, Talat Xhaferi, nuk pret zvarritje gjatë debatit nga grupet parlamentare pasi që sipas tij gjithçka është përcaktuar dhe përkufizuar me rregulloren e kuvendit.
 
“Afatet janë të përkufizuara, të përcaktuara dhe të kufizuara me rregullore dhe çfarëdo lloj obstruksioni të pretendohet nuk mund të llogaritet se do të ketë obstruksion për faktin që edhe po të duan vetëm procedurale të shkojnë, deri në ditën e tretë do të mbarojë debati për amendamentet me procedurale”,- theksoi kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Edhe nga Lëvizja BESA, krahu i Afrim Gashit, presin që dinamika e ndryshimeve kushtetuese të rrjedhë sipas rregullores së kuvendit.
 
“Shpresojmë që dinamika e ndryshimeve kushtetuese do të rrjedh sipas asaj që e parasheh rregullorja e kuvendit. Ne si subjekt politik do të prezantojmë qëndrimin tonë për secilin amendament veç e veç”,- u shpreh Rexhep Memedi nga Lëvizja BESA.
 
ASh mbetet në qëndrimet e saj. Nga kjo parti thonë se do të paraqesin vërejtjet në drejtim të asaj se çka duhet të ndryshohet në kushtetutë. 
 
“Presim që këto vërejtje t’i marrë parasysh propozuesi që në fazën e propozimit të projekt-amendamenteve t’i ketë parasysh edhe vërejtjet tona në rast se kjo mbetet mundësia që ne të intervenojmë me amendamente kur do të vijë momenti”,- theksoi Syrija Rashidi nga Aleanca për Shqiptarët.
 
Nga ana tjetër, kryeministri, Zoran Zaev, përsëriti qëndrimin e tij lidhur me inkorporimin e MO-së në preambulë. 
 
“MO është e futur në kushtetutë që nga viti 2002 kur kushtetuta është ndryshuar me të gjitha amendamentet e reja dhe realiteti ynë është pikërisht ai që vërteton se përditshmëri dhe realitet i yni është se MO është pjesë e kushtetutës së RM-së”,- theksoi kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
 
Më 1 dhjetor draft-amendamentet do të gjenden para deputetëve në seancë plenare.
 
NAIM RAMADANI