Botë
Tiranë, përplasje mes presidentit dhe kryeministrit
06.11.2018 18:32
Thellohet përplasja mes presidentit dhe kryeministrit të Shqipërisë, pasi kreu i shtetit, Ilir Meta, refuzoi të dekretojë Sandër Lleshin ministër të brendshëm....

Nga foltorja e kuvendit, kryeministri, Edi Rama, akuzoi presidentin, Ilir Meta, se ka shkelur Kushtetutën, pasi kjo e fundit nuk e parashikon se presidenti mund të refuzojë dekretimin e një ministri.
Më pas, kuvendi miratoi shkarkimin e ministrit të brendshëm, Fatmir Xhafaj, një javë pas dorëheqjes, ndërsa Sandër Lleshi u emërua zëvendësministër i parë i brendshëm. Kjo do të thotë se ai do të mund ta drejtojë këtë dikaster si ministër i komanduar. Në këtë mënyrë kryeministri e ka gjetur mënyrën për të shmangur presidentin, duke e lënë sërish Lleshin në krye të ministrisë.
Partia Demokratike e cilësoi Sandër Lleshin ushtar të Edi Ramës.
Më pas, Rama e ka prezantuar Lleshin si zëvendësministër, i shoqëruar nga paraardhësi, Fatmir Xhafaj. Ky i fundit u dorëhoq një javë më parë nga detyra, ndërsa ka qëndruar në detyrë deri mesditën e sotme. Presidenti refuzoi dekretimin e Sandër Lleshit si ministër, me argumentin se nuk kishte krijuar bindje të plotë për të.
LULJETA NDOKA
