Maqedoni
Qeveria, prezanton planin reformues 18
06.11.2018 18:36
Reformat në administratë, shërbimi për siguri dhe kundërzbulim, reformat në sistemin gjyqësor...

Reformat në administratë, shërbimi për siguri dhe kundërzbulim, reformat në sistemin gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit janë katër shtyllat e planit 18, për të cilat BE ka dhënë rekomandim të vazhdohet me reforma. Krerët e këtyre dikastereve shpalosën se çka do të punojnë ata në drejtim të reformave në ministritë ku ata drejtojnë.
“Mënyra deri te arritja e planit ngërthen proces të gjerë participues. Në planin 18 kemi dhënë kolona për indikatorët dhe masat e realizimit. Kemi një proces që konsumon energji politike në njërën anë, skriningu në anën tjetër, përgatitjet e ekipit të negociatave dhe reformat në një anë tjetër”,- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
“Ndryshimet ligjore përfshijnë vërejtjet nga Komisioni i Venecias ku përfshihet Ligji për këshillin gjyqësor, përgatitja është kah fundi, Ligji për prokurorë publikë dhe ndryshimet në ligjet e gjykatësve”,- tha Deskovska.
“Duhet të dihet kush është i emëruar politikisht dhe kush është i përgatitur profesionalisht. Do të mundohem dhe ju garantoj se vendin e punës askush nuk do e humb por suksesi do të tregojë në fund se kush do të duhet të hidhet në sektor privat”,- theksoi Mançevski.
Të gjitha këto çështje, kryeministri Zaev në fund tha se nevojitet dialog me partitë opozitare, kryesisht me qëllim që të arrihet suksesi i nevojshëm për qytetarët dhe shtetin ligjor.
“Duam të hapim dialog me opozitën për të gjitha ligjet e paketës të planit 18. Për mua është shumë me rëndësi transparenca. Këtë e bëjmë për qytetarët, të ketë barazi për të gjithë, sundim të ligjit dhe shërbime efikase në administratë”,- tha Zaev.
Zaev foli edhe për trupin koordinues për pajtim, me çka tha se shteti ka nevojë më tepër se kurrë për një mekanizëm që do të ndihmojë në falje, ndihmë në tejkalimin e krizave dhe implementimin e ligjeve si dhe të ndihmojë në ndërhyrje eventuale të politikës në gjyqësor.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
