Zgjedhjet në SHBA, demokratët fitojnë Kongresin

07.11.2018 10:43

Demokratët morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e së martës për Kongresin...

Demokratët morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e së martës për Kongresin, ndërsa republikanët mbajtën kontrollin e Senatit, duke krijuar një Kongres të ndarë që do të vendosë pengesa ndaj programit legjislativ të Presidentit Donald Trump në dy vitet e ardhshme.

Kryetarja e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, në krah të figurave të tjera demokrate me peshë, doli para mbështetësve demokratë, duke thënë se është një ditë e re për Amerikën.Megjithëse demokratët fituan në disa gara kyçe, ata nuk realizuan atë që po quhej “valë blu” fitoresh në zgjedhjet e Kongresit dhe që analistët kishin thënë se do të kishte qenë një kundërshtim ndaj presidencës së presidentit Donald Trump.Mbajtja e kontrollit të Senatit nga republikanët u duk thuajse e padiskutueshme kur demokratët humbën gara kyçe në Indiana dhe Tenesi, dy shtete që Presidenti Trump i fitoi lehtësisht në vitin 2016.

Demokratët siguruan fitoren e parë të rëndësishme në Virxhinia, në rrethinat e Uashingtonit, ku Jennifer Wexton, një prokurore dhe senatore e legjislaturës së shtetit, fitoi ndaj anëtares aktuale të Dhomës së Përfaqësuesve, Barbara Comstock.