Maqedoni

Komisioni për çështje të mandatit “pro” heqjes së mandatit të deputetit Gruevski

07.11.2018 16:33

Komisioni kuvendor për çështje të mandatit dhe të imunitetit me 6 vota “pro” dhe asnjë të përmbajtur, nga gjithsej 9 anëtarë sa numëron ky komision...

Komisioni kuvendor për çështje të mandatit dhe të imunitetit me 6 vota “pro” dhe asnjë të përmbajtur, nga gjithsej 9 anëtarë sa numëron ky komision, ka vendosur që të pranojë kërkesën e gjykatës dhe i dha rekomandim Kuvendit për heqjen e mandatit të deputetit, Nikolla Gruevski, për shkak të dënimit me burg prej 2 vitesh, që i është shqiptuar në rastin “Tank”.
 
Në këtë reaguan ashpër deputetët e VMRO-DPMNE-së të cilët pohuan se pas 28 viteve në Maqedoni po shihet një presion i fortë shtetëror ndaj ish funksionarëve dhe ndaj të gjithë qytetarëve të cilët mendoj ndryshe nga ky sistem. Deputetët e VMRO-DPMNE-së në mënyrë demonstrative kanë lëshuar punën e Kuvendit dhe treguan se janë kundër këtij vendimi.
 
“Aktvendimi për deputetin, Nikolla Gruevski, është sjellë në proces, as nuk është dëshmuar ndonjë dëm financiar ndaj shtetit, por as nuk është treguar ndonjë dobi financiare ku në mënyrë të kundërligjshme është pasuruar deputeti. Për herë të parë pas 27 viteve në Maqedoni jemi dëshmitarë në një presion të paparë, institucione të korruptuara, ku nuk ka drejtësi. Këtu është shkelë drejtësia dhe këto nuk janë vlera europiane”,- deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanovski. 
 
I menjëhershëm ishte reagimi i deputetëve të shumicës, të cilët akuzuan Veljanovskin se po dëshiron ta amnistojë krimin, që është i dëshmuar me vendim nga gjykata.
 
“Kjo e bën deputetin, Nikolla Gruevski, të jetë i padëshiruar në Kuvend, të jetë pjesë e saj dhe t’i përfaqësojë qytetarët. Ndaj secilit që është lëshuar aktvendim gjyqësor, që ka vepruar në kundërshtim me ligjin, do të duhet që të përgjigjet për veprimet e tij, pa marrë parasysh përkatësinë e tij politike, nacionale apo fetare. Sepse ligjet duhet të vlejnë për të gjithë njëlloj”,- tha Aleksandar Kiracovski nga LSDM.
 
“Fakti i vetëm dhe kryesor që mandati i deputetit, Nikolla Gruevski, duhet të merret, është fakti se i njëjti është dënuar për vepër penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”. Dhe ndaj kësaj nuk duhet t’i mbyllim sytë, por atë ta nxjerrim në sipërfaqe, me qëllim që kjo të jetë mësim për funksionarët e tjerë, prandaj do të votoj që t’i merret mandati”,- tha kryetari i Komisionit për imunitet, pavle bogoevski.
 
Për t’u marrë mandati ish kryeministrit, Nikolla Gruevski, do të duhet Kuvendi që të votojë me 2/3 e votave apo 80 deputetë, për çka do të duhet edhe pëlqimi i deputetëve të cilët kanë dalë nga grupi i VMRO-DPMNE-së. Por, ata janë shpreh kundër kësaj iniciative.
 
“Mendojmë se ne si grup i ri parlamentar, pra si deputetë të pavarur, se kjo seancë e sotme është e përshpejtuar dhe pa marrë parasysh që ne nuk kemi të drejtë të votës, ne jemi kundër kësaj iniciative”,- theksoi deputeti i pavarur, Sasho Vasilevski.
 
Gruevski është dënuar me dy vjet burg për rastin “Tanku”, ndërsa dënimin duhet të fillojë ta vuajë nga 8 nëntori në burgun e Shutkës.
 
FITIM KRYEZIU