Maqedoni

Masa qeveritare për përkrahjen e investimeve, 100 kompani kanë aplikuar për kthimin e mjeteve

07.11.2018 17:29

Këtë vit rreth 100 kompani kanë aplikuar për kthimin e mjeteve pasi sivjet kanë investuar në reparte...

Këtë vit rreth 100 kompani kanë aplikuar për kthimin e mjeteve pasi sivjet kanë investuar në reparte, teknologji, por edhe në punësime të reja si dhe në rritjen e rrogave. Këto janë disa nga kriteret që kompanitë duhet t’i plotësojnë që qeveria t’u ndajë para kompanive, u tha në takimin e organizuar në UEJL mes përfaqësuesve të biznesit dhe qeverisë.
 
“Ne si Odë Ekonomike do të luajmë rolin mbikëqyrës të të gjithë këtyre proceseve për shkak se e dimë nga e kaluara se shumë biznese kanë aplikuar dhe nuk kanë arritur që të marrin fonde të tilla që të zhvillojnë biznese. Prandaj mendoj se një bashkëpunim i tillë i Odës Ekonomike dhe bizneseve të cilat janë në një numër mjaft të madh, me konkurrencë mjaft të madhe, për aplikim e tyre për risitë në kompanitë e tyre, mendoj se do të jetë një proces i mirëfilltë dhe do të arrijnë deri në suksesin të cilit e planifikojnë si kompani”,- tha kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
 
“Akademi, biznes, qeveri, t’i provojmë këto masa të dëshmuara se me gjithë atë ka shumë shanse, mundësi, dhe për t’i realizuar ata duhet përgatitje dhe në fund të kësaj është një takim informativ për t’i informuar bashkësinë e biznesit se në çfarë mënyre mund t’i tërheqin dhe t’i thithin këto investime”,- tha rektori i UEJL-së, Abdylmenaf Bexheti.
 
“Në pikëpamje të inkurajimit të kompanive që të përkrahin masat e qeverisë, mund të them se sivjet 100 kompani kanë aplikuar me dokumentacion për të gjitha investimet që i kanë bërë nën kushtet e parashikuara me ligj. Kjo masë është afatgjatë dhe ky proces do të zgjasë edhe më tej”,- theksoi ministrja pa portofol, Zorica Apostolska.
 
Përfaqësues të Fondit për Inovacione dhe Zhvillime Teknologjike i theksuan masat për përkrahjen e kompanive në start ap, por edhe nevojën e bashkëpunimit të kompanive me institucionet e arsimit të lartë.
 
REJHANE BUSHI METAJ