Botë
Erdogan: Turqia nuk do të zbatojë sanksionet ndaj Iranit
07.11.2018 18:50
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka beret ë ditur se Turqia nuk do të respektojë sanksionet amerikane...

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka beret ë ditur se Turqia nuk do të respektojë sanksionet amerikane në naftën iraniane dhe industrinë e transportit, kur lehtësira e siguruar nga Uashingtoni të skadojë pas gjashtë muajve.
“Këta janë hapa që synojnë të destabilizojnë botën. Ne nuk duam të jetojmë në një botë imperialiste”, ka thënë Erdogan para gazetarëve në Ankara më 6 nëntor.
“Ne nuk do të zbatojmë këto sanksione. Ne blejmë 10 milionë metra kub të gazit natyror. Ne nuk mund të lejojmë që njerëzit të kenë të ftohtë gjatë motit të ligë”, ka thënë ai.
Uashingtoni ka rivendosur sanksionet kundër Iranit më 5 nëntor, pasi është larguar nga pakti i vitit 2015 që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore. Erdogan ka thënë se do të diskutojë për këtë çështje kur të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump, në samitin që do të shënojë përvjetorin e 100të të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Po ashtu duke folur në Japoni më 6 nëntor, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ka thënë se izolimi i Iranit do të ishte i rrezikshëm dhe se nuk është e lehtë për shtetet si Turqia apo Japonia të gjejnë furnizues tjetër për nevojat e tyre. Mirëpo Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të godasin ekonominë e Iranit me sanksione me qëllim të detyrimit të Teheranit për të ndalur aktivitetet bërthamore dhe mbështetjen për grupet militante në Siri, Jemen dhe Liban.
