Ahmeti: Komisioni për pajtim u ngrit nga vetë Zaevi

08.11.2018 13:45

Të gjithë deputetët të cilët votuan për nevojën e ndryshimeve kushtetuese...

Të gjithë deputetët të cilët votuan për nevojën e ndryshimeve kushtetuese, votuan me bindje dhe pa pazare, ka deklaruar kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në debatin e mbrëmshëm në Klan Maqedonia.

Ahmeti,  me tej ka theksuar se iniciativa për formimin e Komisionit për pajtim është e kryeministrit, Zoran Zaev.

“Ka vende që kanë pasur etapa përplasjesh dhe pajtimesh dhe janë marrë praktika të ndryshme evropiane, por edhe më gjerë. Dhe, gjithmonë janë marrë praktika të mira pajtimi, dhe për këtë arsye quhet “e vërteta dhe pajtimi” dhe jo të falet ai që ka kryer krim. Kjo iniciativë u prezantua nga kryeministri në Parlamentin e Maqedonisë, u përkrah nga shumica parlamentare dhe mendoj që është një zgjidhje që të ulen palët të bisedojnë dhe të ndëshkohen fajtorët”,- deklaroi Ahmeti, duke shtuar se duhet pritur rezultatet e këtyre komisioneve që janë ngritur.

Sipas kreut të BDI-së,  procesi për anëtarësimin e vendit në NATO nuk kthim prapa. Në janar, Parlamenti grek do ta ratifikojë ftesën për në NATO, që pastaj të vazhdojë me vendet tjera.

Kjo është çështje e kryer, ka theksuar lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti,  i cili është shprehur kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me presidencialet në pranverën e vitit të ardhshëm, sepse zgjedhjet sipas Ahmetit nuk janë zgjidhje.