Skadon afati për burgimin e Gruevskit, Këshilli Penal shqyrton ankesat
Sot është dita kur ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, do të duhej të paraqitej në burgun e Shutkës...

Sot është dita kur ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, do të duhej të paraqitej në burgun e Shutkës dhe të vuaj dënimin e caktuar me dy vjet burg.
Në Gjykatën Penale kanë arritur ankimimet e secilit avokat veç e veç të ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, dhe po ashtu pritet të arrijë edhe ankesa e vetë Nikolla Gruevskit, pas të cilave do të fillojë procedura që të shqyrtohen ankesat nga Këshilli Penal, ku do të vendoset nëse do t’i shtyhet burgimi për tre ditë apo vendimi për ta dërguar në burgim do të merret sot.
Ai u dënua me vendim të plotfuqishëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës që ishte kryeministër për blerjen e Mercedesit luksoz me vlerë prej më shumë se gjysmë milioni euro. Dje Komisioni për çështje të mandatit dhe imunitetit me shumicë votash i rekomandoi Kuvendit që t’i merret mandati deputetit Gruevski pasi ai është i dënuar me dy vite burg në rastin “Tank”.
Vendimi nuk u ka pëlqyer deputetëve të VMRO-DPMNE-së të cilët kanë lëshuar mbledhjen e komisionit, pasi kanë vlerësuar se ky është një presion i fuqishëm shtetëror ndaj ish funksionarëve dhe ndaj të gjithë atyre që mendojnë ndryshe nga ky sistem. Ndërkohë sipas deputetëve të shumicës, VMRO-DPMNE dëshiron ta amnistojë krimin e dëshmuar me vendim gjyqësor.
Në përkrahje të ish kryeministrit, Nikolla Gruevski, një grup protestuesish protestuan para Gjykatës Themelore. Protestuesit e quajtën përndjekje politike dënimin e Gruevskit. Ata nga gjykata e drejtuan presidencës për t’i kërkuar presidentit, Gjorge Ivanov, të cilit i kërkuan amnisti për Gruevskin, pasi sipas tyre ka shumë krime në vend, ndërsa Gruevski u gjykua për blerje të mercedesit i cili ende është në përdorim.
Aleksandar Trajkovski, i akuzuar së bashku me Gruevskin për dhunën në komunën Qendër, tha se publikisht e mbështet Gruevskin, ndërsa lufta e tij është e të gjithëve, prandaj populli maqedonas nuk do ta lë vetëm.
