Varroset ekstremisti grek, Kostandin Kacifas

08.11.2018 18:13

Mes thirrjesh nacionaliste Vorio-Epiri është Greqi dhe mes parullash “Kostandin je i pavdekshëm”...

Mes thirrjesh nacionaliste Vorio-Epiri është Greqi dhe mes parullash “Kostandin je i pavdekshëm”, “Na pri e na udhëhiq”, është përcjellë për në banesën e fundit Kostandin Kacifas, ekstremisti grek i vrarë afro dy javë më parë në Bularat të Gjirokastrës nga forcat RENEA.

Në fshat nuk ka pasur prani forcash policore, ndërsa situata ka qenë e qetë. Të pranishëm në ceremoninë mortore kanë qenë me qindra banorë si dhe mjaft të ardhur nga Greqia. I pranishëm ishte edhe kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e njeriut, Vangjel Dule, i cili kërkoi zbardhje të ngjarjes.

Ritet mortore për nder të minoritarit grek u drejtuan nga 9 priftërinj grekë, ndërkohë që kortezhi gjatë rrugës për në kishë u pri nga eurodeputetja qipriote, Eleni Theoharus.

Pas mbajtjes së meshës në nder të tij, trupi i Kacifas u përcoll në heshtje dhe me duartrokitje në varrezat e fshatit, të ndodhura në krah të kishës ortodokse. (Luljeta Ndoka, TVM2)