Kuvend, marrja e mandatit të Gruevskit para deputetëve
Deputetët në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë sot në seancë plenare duhet të vendosin...

Deputetët në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë sot në seancë plenare duhet të vendosin për marrjen e mandatit të deputetit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Për t’u realizuar një gjë e tillë, është e nevojshme shumicë prej dy të tretave. Në seancën e Komisionit për çështje mandati dhe imuniteti, grupi i pavarur i deputetëve të VMRO-DPMNE-së, ditë më parë thanë se në seancën plenare ata si grup prej 8 deputetëve nuk do të votojnë për marrjen e mandatit të deputetit Gruevski.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së, që janë pjesë e komisionit për çështje mandatesh, dje lëshuan seancën në shenjë proteste për kërkesën e shkarkimit. Por, para këtij gjesti, nuk lëshuan mundësinë t’i kujtojnë deputetët e pushtetit se po bëjnë shumë veprime të gabuara anti-kushtetuese dhe se shumë bashkë-partiakëve të tyre gjykata po u bën përndjekje politike me porosi.
Procedura në parlament dhe procedura para gjykatave po shkon në mënyrë paralele. Pasi të mbarojë procedura e prolongimit të burgut, materialet e lëndës do të shkojnë tek Gjykata Supreme, e cila mund të bëjë kthesë në gjithë këtë rast. Ish-kryeministri është dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës që ishte kryeministër, për blerjen e Mercedesit luksoz me vlerë prej më shumë se gjysmë milion euro.
Edhe pse sot ishte dita kur Drejtoria për ekzekutimin e sanksioneve e urdhëroi Nikolla Gruevskin që të paraqitet në burgun e Shutkës për të vuajtur dënimin prej 2 vitesh burgim, Nikolla Gruevski ende shfrytëzon të gjitha afatet e mundshme ligjore për ankesë dhe shtyrje të burgut.
Edhe pse këtë javë duhej të merrej vesh përfundimisht nëse Këshilli Penal do t’ia pranojë Gruevskit kërkesën për shtyrje të burgut, afati prej tre ditësh pune në fakt ka filluar prej dje, pasi llogaritja e afatit tre-ditor fillon prej momentit kur ankesa do të arrijë në adresë të Këshillit.
Të gjithë avokatët e Gruevskit një nga një kishin dorëzuar kërkesa për prolongim dhe së bashku me to, kërkesë personale kishte dorëzuar edhe Nikolla Gruevski. Tani sipas llogaritjeve, afati i ri deri kur duhet të sillet vendimi i Këshillit Penal, është dita e hënë.
