MASH, në Shutkë ka investuar 192 milion denarë
Për arsimin fillor dhe të mesëm, në Komunën e Shuto-Orizares, Ministria e Arsimit së fundmi ka investuar 192 milion denarë......

Mjetet janë investuar për ndërtimin e godinës së shkollës se mesme në këtë Komunë, e cila tanimë është gati dhe pritet të fillojë me punë nga një tetori, bën të ditur ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi. Ai sqaroi se objekti shkollor tanimë është gati, por nuk mund të fillojë me punë në shtatorë për shkak të mungesës së inventarit, për të cilin së shpejti do të hapet tender.
Ministria e Arsimit ka investuar edhe në zgjerimin e hapësirës në dy shkollat fillore të kësaj Komune.
“Jemi në shkollën fillore “Vellezërit Ramiz dhe Hamit”, ku MASH ka siguruar 73 milion denarë për mbindërtimin e këtij objekti, për nevojat e shkollës fillore, me çka do të sigurojmë hapësira të reja dhe kushte më të mira për arsim më cilësorë. Këtu do të sigurohen përafërsisht edhe 2 mijë metra katrorë hapësira të reja për 21 klasë. Objekti pritet të jetë i përfunduar në fund të muajit shtatorë. Gjithashtu, në kuadër të Komunës së Shuto-Orizares, kemi siguruar edhe 31 milion denarë për mbindërtimin e objektit “26 korriku” në Komunën e Shuto-Orizares, me çka edhe atje do të sigurohen 9 klasë të reja. Gjithashtu është ndërtuar edhe shkolla e mesme, e cila duhet të funksionojë këtë vit shkollorë”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdulaqim Ademi.
Pjesë e këtyre investimeve është edhe salla e edukatës fizike në afërsi të shkollës së mesme në Shuto-Orizare, për çka janë investuar 87 milion denarë. (Gyltene Sinani, TVM2)
