Kumanovë, përurohet salla e sporteve në Sh. M. “Pero Nakov”
Në ambientet e ish Kazermës në Kumanovë, sot solemnisht u përurua Salla e sporteve.....

Në ambientet e ish Kazermës në Kumanovë, sot solemnisht u përurua Salla e sporteve për nxënësit e Shkollës së Mesme Ekonomike “Pero Nakov”, paralelja në gjuhën shqipe. Me këtë sallë bashkëkohore krijohen kushte jo vetëm për mbarëvajtjen e orëve të edukatës fizike, por edhe për zhvillimin dhe kultivimin e disiplinave të ndryshme sportive. Në përurimin e këtij objekti kapital ishin prezentë edhe një pjesë e kabinetit qeveritar të Maqedonisë.
“Nuk ka mënyrë më të mirë për të simbolizuar rolin e politikës, detyrën e politikës, qëllimin e politikës, se sa hapja e projekteve të këtilla të cilat garantojnë shëndetin fizik e mendor të gjeneratave më të rëndësishme, ata janë fëmijët tanë që mësojnë në këto shkolla. Kjo është me rëndësi e jo politika ditore, si debatet e ashpra në parlament, qeveri, ministri, roli i politikës është kjo, që të shfrytëzoni mundësitë e pakta të cilat i ka shteti, të realizoni një projekt që do ta shfrytëzojnë për të ardhmen gjeneratat e brezat e ardhshëm,- tha zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
“Me këtë po tregojmë dhe po dëshmojmë se jemi maksimalisht të përkushtuar si qeveri, por edhe si parti politike, që të përmirësojmë cilësitë në arsim, dhe kur jemi këtu, flasim edhe për proceset reformuese që kanë të bëjnë me kualitetin e procesit arsimor, por edhe me përmirësimin e kushteve infrastrukturore, që padyshim se kanë ndikim në vetë kualitetin e procesit edukativo-arsimor”,- tha ministër për arsim dhe shkencë, Arbër Ademi.
“Besoj se në këtë frymë pozitive, për një mirëkuptim të përbashkët të pushtetit lokal dhe atij qendror, do të mundemi të realizojmë edhe shumë projekte të këtilla kapitale për gjeneratat e reja,- theksoi kryetari i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Me dekada të tëra nxënësit e kësaj shkolle nuk kanë poseduar sallë të sportit, andaj orët e lëndës së edukatës fizike i kanë mbajtur në klasë ose në natyrë. (Fatlumi Aqifi, TVM2)
