ASh: Kundër heqjes së shtesës për fëmijën e tretë

09.11.2018 18:12

Aleanca për shqiptarët nuk do të përkrah dhe është kundër që ndihma sociale për fëmijën e tretë....

Aleanca për shqiptarët nuk do të përkrah dhe është kundër që ndihma sociale për fëmijën e tretë të largohet nga ligji. Sipas tyre, arsyetimi i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale se ky ligj nuk ka dhënë efektet e pritura dhe nuk ka motivuar familjet, është i papranueshëm.

Ish zëvendësministri në këtë dikaster, Elmi Aziri, theksoi se ky ligj ka pasur efekt pozitiv në ekonomitë e familjeve që kanë shfrytëzuar këtë ndihmë.

Sipas Azirit, statistikat tregojnë se shfrytëzues më të mëdhenj janë shqiptarët, por ai u shpreh se nuk do të dojë të jetë ky faktori, që qeveria të sjellë një vendim për heqjen e subvencionimit për fëmijët e tretë.

“Shprehur në përqindje, 45,5% janë familjet shqiptare që e pranojnë këtë subvencion, 33.1% janë familje maqedonase, 7.8 janë familje turke dhe 9.4% rome. Nuk do të kisha dashur, nuk do të dua të besoj se shifrat në këtë tabular statistikor janë argument kryesor se pse qeveria tenton të eliminojë këtë ndihmë në formë subvencioni”,- u shpreh Elmi Aziri nga ASh.

Aziri tha se Aleanca për Shqiptarët fton partitë shqiptare në pushtet që mos të përkrahin këtë iniciativë. Sipas Azirit, qeveria e Maqedonisë duhet të jetë më e informuar para se të sjellë vendime që prek popullatën. Ky ligj u soll në vitin 2009 dhe deri më sot ka pasur më shumë efekte pozitive se sa negative, shprehen nga ASh. (Visar Sadiki, TVM2)