VMRO kërkon dorëheqjen e Tevdovskit, “ka dështuar në politikat ekonomike”

09.11.2018 18:43

VMRO-DPMNE kritikon politikat ekonomike të qeverisë, të cilat, sipas opozitës....

VMRO-DPMNE kritikon politikat ekonomike të qeverisë, të cilat, sipas opozitës, janë në dëm të kompanive dhe qytetarëve. Konfirmim për mossukses në ekonomi është edhe Raporti i Progresit të KE-së, i cili parasheh rënie të BPV për 1%, përkatësisht projektimi nga 3.1% zvogëlohet në 2.1% dhe projektimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili parasheh përgjysmim të rritjes së BPV-së.  

“Edhe pse institucionet me relevancë, gjatë pjesës së parë të vitit ishin optimistë se viti do të mbyllet me rritje të BPV-së mbi 3%, ne ishim të bindur që atëherë dhe paralajmëronim se kjo qeveri e paaftë e LSDM-së do ta gremisë ekonominë dhe do të sjellë qytetarët dhe kompanitë buzë ekzistencës”,- theksoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.

VMRO akuzon pushtetin për politika të gabuara ekonomike, mungesë përkushtimi dhe realizim të keq të investimeve kapitale. Sipas opozitës, edhe paralajmërimet për reformat në sistemin tatimor janë të gabuara dhe do të sjellin rezultate të këqija në ekonomi. Për këto arsye kërkon dorëheqjen e ministrit të financave, Dragan Tevdovski, por jo vetëm. 

“Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për situatën e keqe ekonomike në shtet. Tevdoski duhet të japë dorëheqje menjëherë, pasi rezultati i politikave të tij të gabuara janë të dukshme”,- u shpreh zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.

Sipas VMRO-së, edhe huamarrja i ka kaluar të gjitha kufijtë, ndërkaq nuk është realizuar asnjë projekt. (Shpëtim Nuredini, TVM2)