PSP, lëndë të re me emrin kodues “Perandoria”

09.11.2018 18:47

Prokurorët e Prokurorisë Publike Speciale mëngjesin e sotëm kanë hyrë në zyrat e Kompanisë....

Prokurorët e Prokurorisë Publike Speciale mëngjesin e sotëm kanë hyrë në zyrat e Kompanisë së biznesmenit të njohur, Orce Kamçev.

Hetimi i ri i PSP-së mban emrin kodues “Perandoria”. Të dyshuar janë gjithsej 13 persona. Përveç Kamçevit, në mesin e tyre është edhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijallkov.

Kontrollet kanë filluar nga ora 6 e mëngjesit në selinë e Kompanisë “Orka Holding” në Shkup, por edhe në kompaninë “Pelisterka” nga Manastiri. Prokuroria së bashku me Ministrinë e Brendshme, kanë realizuar 12 bastisje dhe janë shoqëruar pesë nga personat e dyshuar, mes tyre edhe Orce Kamcev.

Hetimi i Speciales ka treguar se ka baza që t’i ndjek për disa vepra edhe atë: bashkim kriminal, dëmtim apo autorizim të kreditorëve, shpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim e pastrim parash.

"Gjatë procedurës para-hetimore, me ndërmarrjen e veprimeve të ndryshme hetimore si dhe me zbatimin e masave të posaçme hetimore, janë siguruar dëshmi të mjaftueshme prej ku doli dyshimi i bazuar se në periudhën 2002 deri 2013, të dyshuarit i kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen edhe përmes personave juridik që kanë qenë apo janë në pronësi të tyre", -theksojnë nga PSP.

Edhe më 29 gusht të vitit 2016, Kamçev është marrë në pyetje në PSP, por Prokuroria atëherë nuk njoftoi se në çfarë cilësie ka qenë dhe për cilin rast është ftuar.