102 vjetori i “Çlirimit të Shkupit” nga forcat shqiptare
102 vjet më parë, 30 mijë shqiptarë me në krye Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Mehmet pashë Derallën, Idriz Seferin e Bajram Currin, hynë në Shkup për ta çliruar atë........

Pavarësisht rrjedhën e ngjarjeve në ditët pas 12 gushtit të vitit 912, “Çlirimi i Shkupit” është një nga ngjarjet historike më të rëndësishme për shqiptarët. Sot, pinjollët e çlirimtarëve të para 102 viteve, u mblodhën në Shkup për të përkujtuar bashkimin e shqiptarëve në atë kohë, i cili duhet të reflektohet edhe me bashkimin e shqiptarëve të sotëm.
“Të gjitha lëvizjet kombëtare shqiptare, kanë filluar në treva të ndryshme të kombit shqiptarë dhe kanë përfunduar këtu në Shkup, 1904, 1908, 1910, 1912, ku bëhet edhe “Çlirimi i Shkupit”, i prirë nga Hasan Prishtina, Isa Boletini, Idriz Seferi e Bajram Curri dhe 30 mijë çlirimtarë të tjerë. Kombi shqiptarë, i përfaqësuar nga të gjitha trevat, këtë vit edhe nga treva e Gjakovës, është kënaqësi që po e përjetojmë këtë ditë të madhe”- deklaroi pinjolli i familjes së Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina.
“Ky bashkëpunimi ynë, i pasardhësve të tyre, na ka frymëzuar gjithnjë në jetë që të tregojmë se Shkupi është gjithmonë i shqiptarëve dhe do të jetë i shqiptarëve”- theksoi nipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini.
“Është kënaqësi e veçantë të jem këtu pas 102 viteve, kur Hasan Prishtina, Isa Boletini, Mehmet pashë Deralla e çliruan Shkupin për herë të parë, por fatkeqësisht nuk e kemi për momentin. Koha do ta tregojë dhe Shkupi do të kthehet sërish aty ku e ka vendin”- potencoi nipi i Mehmet pashë Derallës, Berat Deralla.
“Hasan Prishtina përfaqëson një frymëzim për të gjithë kombin shqiptarë, sepse të gjitha lëvizjet në trojet shqiptare lidhen me emrin e Hasan Prishtinës”- tha vëllai i Afrim Zhitisë, Sylë Zhitia.
Manifestimet kushtuar kësaj date të rëndësishme, janë organizuar nga Komuna e Çairit, Shoqata e Historianëve Shqiptarë dhe Shoqata “Sofra Gjakovare”.
Nikoqirët pritën sot pinjollët e luftëtarëve ashtu siç i kanë pritur edhe gjyshërit e tyre në 1912, me dashuri dhe përkushtim për një të ardhme të përbashkët.
“Sot, bashkërisht përkujtojmë këtë ngjarje të madhe. Ne sot, përveç që i rikujtojmë ata edhe motivohemi, mobilizohemi për një perspektivë më të mirë, një të ardhme më të mirë. E gjithë kjo në frymën e lëvizjes kombëtare shqiptare”- u shpreh kryetari i Komunës se Çairit, Izet Mexhiti.
“Besoj që Shoqata e Historianëve Shqiptarë, Komuna e Çairit dhe institucionet e tjera do të vazhdojnë shënimin e përvjetorëve të rëndësishëm të krenarisë sonë kombëtare, të cilat vërtetë na orientojnë drejt rrugës së drejtë për progres dhe përparim”- theksoi zëvendësministri i Mbrojtjes, Arben Labënishta.
“Çlirimi i Shkupit” më 12 gusht 1912, është një nga ngjarjet më madhore në historinë e kombit shqiptarë, i cili përgatiti masat e gjera popullore dhe opinionin ndërkombëtarë, për shpalljen e “Pavarësisë së Shqipërisë” nga Perandoria Osmane. (Merita Gashi, TVM2)
