EKONOMI

Aplikoni me ide për biznese, financat nuk janë më problem

12.08.2014 14:54

Të gjithë studentët dhe të gjithë të interesuarit e tjerë, nga mosha 18 deri në 30 vjeç, që duan të fillojnë biznes personal, këtë mund ta bëjnë përmes projektit të Ministrisë së Ekonomisë, "Bëhu kreativ, fillo biznesin tënd”.....

Thirrja publike për këtë projekt është publikuar më 4 korrik dhe do të zgjasë deri më 15 shtator.  Biznes-planet më të mira do të marrin mbështetje financiare, i pari 330 mijë denarë, i dyti 230 mijë, i treti 130 mijë, i katërti 100 mijë dhe i pesti 60 mijë denarë.

“Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, kanë rol të rëndësishëm në gjenerimin e rritjes ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës. Themelimi i kompanive të vogla, varet nga individët, të cilët kanë ide dhe janë të gatshëm të ndërmarrin rrezik që ta realizojnë. Pikërisht për këtë fakt, nxitja e frymës sipërmarrëse është e domosdoshme nëse merret parasysh se mu këto i nevojiten çdo ekonomie”, deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.

Në pajtim me thirrjen publike, 5 biznes-planet e shpërblyera duhet të formojnë ndërmarrje dhe për regjistrimin e të njëjtës do t'i shfrytëzojnë mjetet e vauçerëve të ndarë.

Projekti "Bëhu kreativ, fillo biznesin tënd", realizohet në dy faza. Në fazën e parë, Ministria e Ekonomisë bëri përzgjedhjen e biznes-ideve më të mira, duke përzgjedhur 40 aplikime nga 59 të dorëzuara.

Të gjithë aplikantët kaluan përmes trajnimeve për realizimin e ideve në planin e biznesit. Më shumë ide janë nga fusha e teknologjisë informatike dhe zejtaria. (Rina Turkeshi-Saiti, TVM2)