Botë

Rusia i quan “Të pabaza” akuzat për spiunazh në Austri

10.11.2018 19:20

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov i ka thënë homologes austriake se Rusia po akuzohet padrejtësisht për spiunazh...

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov i ka thënë homologes austriake se Rusia po akuzohet padrejtësisht për spiunazh, pasi Vjena tha se po heton një ish-kolonel austriak, nën dyshimin se ka spiunuar për dekada me radhë për Moskën.
 
Sipas deklaratës së lëshuar nga Ministria e Jashtme ruse, Lavrov ka folur për “akuzat e pabaza” gjatë bisedës telefonike me ministren e Jashtëm të Austrisë, Karin Kheissl. Lavrov ka thënë se Vjena duhet të diskutojë për këto akuza në mënyrë private dhe direkte me Moskën dhe nuk është dashur që ato të bëhen publike. Ky skandal i spiunazhit rrezikon të dëmtojë marrëdhëniet e Moskës me Vjenën.
 
Moska është akuzuar edhe herë të tjerë për spiunazh në shtetet e BE-së dhe gjetkë. Më 9 nëntor, kancelari austriak, Sebastian Kurz dhe ministri i Brendshëm, Mario Kunasek thanë se një kolonel austriak, që ishte pensionuar pesë vjetë më parë, dyshohet se ka punuar me inteligjencën ruse, që prej viteve ’90 e deri këtë vit.
 
“Spiunazhi është i papranueshëm dhe spiunazhi rus në Evropë gjithashtu është i papranueshëm”, kishte deklaruar Kurz. Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, ministrja austriake, Kheissl i ka thënë Lavrovit se ajo shpreson që kjo çështje të mos prish marrëdhëniet dypalëshe.