Botë

Brazil të paktën 10 viktima nga rrëshqitja e dheut

11.11.2018 12:56

Të paktën 10 persona, midis të cilëve edhe një fëmijë trevjeçar, e kanë humbur jetën nga rrëshqitja e dheut në afërsi të Rio de Zhanejros, ndërsa 11 persona janë lënduar, njoftuan autoritetet lokale...

Shefi i repartit për mbrojtje civile i Rios, Roberto Robadej deklaroi se rrëshqitja e dheut në Niteroj ka ndodhur pas reshjeve të rrëmbyeshme të shiut dhe se janë bllokuar gjashtë shtëpi. Sipas banorëve lokal, nën dheun që ka rënë me siguri ka ende njerëz.
 
Shumë vullnetarë janë bërë bashkë me zjarrfikësit dhe personelin e policisë, për ta larguar baltën dhe pjesët e thyera të mureve në mënyrë që ta dëgjojnë ndonjë zë të njerëzve që kanë mbetur të ngujuar. Përveç kësaj, u montuan edhe disa shtylla ndriçimi në mënyrë që kërkimet të mund të vazhdojnë gjatë natës. Mediat lokale raportuan se 11 persona janë shpëtuar deri tash, duke përfshirë dy fëmijë.
 
Shumica e tyre u gjetën me ndihmën e qenëve të trajnuar për nuhatje. Mendohet se përpos shtëpive, në mesin o objekteve të zëna nga dheu ishte edhe një piceri. Rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet janë të shpeshta në Brazil. Rrëshqitja më vdekjeprurëse kishte ndodhur në vitin 2011, kur nga rrëshqitjet e dheut në shumë vende kishin vdekur afërsisht 1000 njerëz.