Akademi kushtuar 102 vjetorit të “Çlirimit të Shkupit”

12.08.2014 15:39

Më 12 gusht të vitit 1912, mijëra kryengritës shqiptarë të armatosur, të udhëhequr nga Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini e shumë atdhetarë tjerë, përmbyllën çlirimin e vilajetit të Kosovës nga pushtimi osman, pasi morën nën kontroll Gjilanin, Preshevën, Bujanocin, Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Kumanovën, si dhe kryeqytetin e vilajetit të Kosovës, Shkupin.....

Nga sakrifica e të parëve tanë, kjo datë ngelet frymëzim për të gjithë, theksuan të pranishmit në akademinë solemne. Rol të rëndësishëm në “Çlirimin e Shkupit” kanë pasur pinjollët gjakovarë.

“Ne si gjakovarë, mburremi me ketë datë historike përkrah patriotëve tanë, Hasan Prishtinës dhe Isa Boletinit, të cilët dhanë kontributin e pashoq, në mesin e tyre shquhen edhe patriotët Bajram Curi dhe Bajram Daklani, i cili pikërisht në këtë datë të vitit 1912, ngriti për herë të parë flamurin tonë kombëtarë”- deklaroi Dijana Shakaxhiu nga Komuna e Gjakovës.

“Bajram Daklani, rrjedh prej një familje patriotike gjakovare, populli ka fol dhe kam dëgjuar shumë detale për prejardhjen e B. D. , ka marrë pjesë në të gjitha kryengritjet kundër xhon turqve  1909, 1910, 1911 dhe në fund 1912, pra më 9, 10, 11 kanë pasur karakter lokal, ky e ka organizuar vrasjen e përfaqësuesit të sulltanit në kohën e Turgut pashës”- u shpreh Masar Rizvanolli nga Shoqata e Intelektualëve “Jakova”, nga Gjakova.

Shkupi ka qenë qendër e rëndësishme shqiptare dhe mbetet një nga tre qendrat kryesore, theksoi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhit. Sipas tij, për të kanë kontribuar të gjithë, madje gjatë 10 viteve të fundit, Shkupi i Vjetër që përfshin Çairin, gjithnjë e më shumë kthen elementin kombëtarë.

“Vetë Komuna e Çairit është rezultat i luftës së 2001, është rezultat i sakrificës shqiptare, i gjakut të dëshmorëve, sepse në vitin 2005 u bënë ndryshime radikale që unë të jem kryetar i parë shqiptarë në këtë Komunë, siç u bë ndryshimi në Komunën e Strugës dhe Kërçovës dhe pas dekadave, pas 70 viteve reflektohet realiteti dhe në krye të qyteteve të udhëheqin shqiptarët ashtu siç janë shumicë. Kthejmë elementin kombëtarë, brenda 10 viteve formuam Komunë në Shkupin e Vjetër, duke zyrtarizuar flamurin kombëtarë dhe gjuhën shqipe, duke i kthyer toponimet, duke ndryshuar emrat”- theksoi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

Shkupi ishte qendra, pasi aty jetonin familjet me peshë, tha historiani, Nebi Dervishi.

“Jo rastësisht, Shkupi ishte qendër e lëvizjes kombëtare, sepse këtu banonin, vepronin shumë intelektual, familje të nderuara, të cilat tërë veprimtarinë e kryenin në kryeqendrën e vilajetit të Kosovës, si familja e Dragajve, Bedri Pejanit, Mitat Frashërit, Sali Dukës, Hasan Prishtinës, Bajram Currit dhe shumë e shumë atdhetarëve të tjerë”- potencoi historiani, Nebi Dervishi.

Kujtimi i kësaj përpjekjeje është i domosdoshëm sot, prandaj kjo datë nuk do të shlyhet nga mendjet tona, vlerësuan të pranishmit. (Rina Turkeshi-Saiti, TVM2)