EKONOMI

Interes i madh i firmave për shlyerjen e borxheve

12.08.2014 15:48

“Ngrohtorja Shkup”, “EVN Maqedoni”, “ELEM”, “RTVM”, bankat dhe Oda e Noterëve dhe e Përmbaruesve të Republikës së Maqedonisë u paraqitën në thirrjen për pjesëmarrje në projektin për shlyerje të njëhershme të borxheve për kategoritë më të prekura të qytetarëve......

Nga bankat, deklaratë për pjesëmarrje në projekt parashtruan bankat "Stopanska Shkup", "Komerciale", e "Ohrit", "NLB Tutunska", "Kapital", "Prokredit", "Uni Bank","Eurostandard", “Banka qendrore koperative”, "Stopanska-Manastir", "Halkbank", "Alfa", "TTK", "Shparkase" dhe kursimorja “Fulim”.

Në pajtim me Ligjin për Shlyerje të Njëhershme të Borxheve të Qytetarëve, do të shlyhen borxhet e krijuara përfundimisht me 31 dhjetorin e vitit 2013, ndërsa janë të papaguara më gjatë se 12 muaj.

Të drejtën e shlyerjes së njëhershme të borxheve, mund ta përdorin shfrytëzuesit e asistencës sociale në para apo asistencës së përhershme me para, personat e papunë të cilët në mënyrë aktive kërkojnë punë më gjatë se 12 muaj dhe personat të cilët i janë nënshtruar rrezikut social për shkak të vdekjes, invaliditetit apo sëmundjeve të rënda.

Do të shlyhen borxhet në bazë të energjisë elektrike të shpenzuar, energjisë termike, kartelave kreditore, tejkalimit të llogarive të transaksionit dhe kredi konsumatore, të cilat nuk janë të siguruara dhe për taksën radio-difuzive.

Së bashku me borxhin kryesor do të shlyhen edhe interesat, si dhe shpenzimet për noterët dhe përmbaruesit. Në periudhën e ardhshme, do të vijojë nënshkrimi i marrëveshjes mes Ministrisë së Financave dhe kreditorëve, të cilët shprehën interes për pjesëmarrje, si dhe thirrje publike deri te qytetarët e përfshirë me Ligjin, të paraqiten për pjesëmarrje.

Ministria e Financave, shpreh kënaqësi nga interesi i shfaqur nga ana e kreditorëve, për kyçje në procesin e shlyerjes së borxheve të kategorive më të rrezikuara të qytetarëve. (Memedali Jusufi, TVM2)