Ekonomi
Oda Ekonomike: Të rritet siguria në punë
12.11.2018 17:46
Nuk duhet të ketë vetëm kompani fitimprurëse, por kompani që do të kujdesen për punonjësit e tyre....

Kjo është një garanci nga standardi i ri ndërkombëtar mbi sigurinë në punë ISO 45001. Zbatimi i këtij standardi do të mundësojë rritjen e efikasitetit dhe konkurrencën e kompanive, thonë nga Oda Ekonomike, të cilët bëjnë thirrje të rrisin sigurinë e punëtorëve për të reduktuar aksidentet e punës. Sipas Odës Ekonomike të Maqedonisë, një numër i vogël i kompanive kanë zbatuar dhe certifikuar këtë standard.
“Bëhet fjalë për standardin ISO 45001. Standard i cili u shpall nga kjo organizatë në korrik të këtij viti dhe përfaqëson një kornizë për menaxhimin e sistemit me rreziqet gjatë punës: parandalimin e vdekjes, dëmtimet gjatë punës, shëndetin e keq të shkaktuar nga natyra e punës. Dhe me këtë faktikisht mundësohet krijimi i një mjedisi të sigurt për punë”,- tha koordinatorja për kualitet pranë Odës Ekonomike, Emilija Todorovska.
Menaxherët besojnë se kujdesja për sigurinë e punëtorëve është çelësi për kompletimin e të gjithë procesit të prodhimit dhe është në dobi të kompanive. Sipas koordinatores për cilësinë dhe sigurinë në punë dhe shëndetin në punë, deri në vitin 2030 do të hapen 40 milion vende pune, që do të thotë se ulja e përqindjes së incidenteve të shkaktuara nga dëmtimet në punë do të jetë e rëndësishme.
Kjo nënkupton zbatimin e praktikave më të mira, vendosjen e një standardi që në thelb ka përmirësimin e shëndetit dhe sigurisë në punë. Statistikat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës tregojnë se në çdo 15 sekonda ka një aksident ose sëmundje të lidhur me punën. Humbjet ekonomike vlerësohen në 4% të produktit të brendshëm bruto botëror.
SEDAT SELIMI
