Ekonomi
Tevdovski: 3.7 miliard euro propozim buxheti për vitin 2019
12.11.2018 18:06
3.7 miliard euro peshon propozim buxheti i vitit 2019, që është rreth 293 milion euro më i lartë se buxheti i këtij viti....

Këtë e kumtoi ministri i financave, Dragan Tevdovski, në debatin e parë për buxhetin e vitit të ardhshëm. Nga viti i ardhshëm planifikohet të ketë rroga më të larta prej 10% për mjekët specialistë, kurse 5% për të punësuarit në shëndetësi, arsim, çerdhe, mbrojtje, administratë shtetërore, polici dhe gjyqësor.
“Investojmë në shëndetësinë publike. Qëllimi është që mjekët më të mirë, qytetarët t’i kërkojnë në institucionet publike, e jo në ato private. Qëllimi është të sigurojmë shërbime më të mira shëndetësore për të gjithë. Duam që t’i motivojmë të punësuarit në shëndetësi. E dimë që punët nuk ndryshohen për një natë, por duhet të fillohet prej diku. Ne kemi filluar këtë vit dhe vazhdojmë më fuqishëm në vitin 2019. Në buxhetin e 2019 kemi siguruar edhe mjete për rritje të rrogave në arsim, si dhe për çerdhet. Me qëllim të ndërtimit të një administrate më të fuqishme dhe më motivuese është planifikuar rritje e rrogave prej 5% nga shtatori i vitit 2019. Janë planifikuar edhe reforma në administratën publike”,- tha ministri i financave, Dragan Tevdovski.
Buxheti i vitit 2019 është social por edhe zhvillimor, vlerëson Tevdovski. Me buxhetin janë parashikuar reforma në sistemin e mbrojtjes sociale, edhe atë është parashikuar pensioni social që do të përfshin rreth 6.000 persona të cilët kanë mbushur 65 vjet dhe kanë një ditë pune.
Deficiti buxhetor për 2019 është projektuar në 2.5% të PBV-së, apo 0.2% më i ulët se sa ai i 2018-s. Me uljen e përshkallëzuar të deficitit buxhetor udhëhiqet politikë e disiplinuar buxhetore, e cila do të sjellë stabilizim të borxhit publik dhe shtetëror, në afat të mesëm.
“Pikë kyçe e buxhetit të vitit 2019 është vazhdimi i politikës së disiplinuar fiskale. Drejtimi kah shkojmë është konsolidimi fiskal apo ulja e deficitit buxhetor në 2.5% nga 2.7% të PBV-së. Te deficiti buxhetor ka ulje të vlerës nominale në relacion me vitin 2018, përkatësisht gjysmë miliard denarë më pak. Kjo është në përputhje me strategjinë fiskale, si dhe me rekomandimet e organizatave ndërkombëtare”,- theksoi ministri i financave, Dragan Trevdovski.
Buxheti i vitit 2019 është i projektuar për rritje prej 3.2% të PBV-së. Të hyrat publike janë projektuar në 210.8 miliard denarë, kurse shpenzimet e përgjithshme në 228.5 miliard denarë. Pritjet janë që norma e inflacionit të jetë e ulët dhe stabile në 2%, kurse janë siguruar 1.1 miliard denarë për masa për punësim, me të cilat pritet që niveli i papunësisë të ulet në rreth 20%.
ERSAN PAJAZITI
