SHBA

Vrasja e adoleshentit, shkakton trazira në SHBA

12.08.2014 16:29

Familja e Majkëll Braunit, një 19 vjeçari me ngjyrë, që u vra nga një oficer Policie në qytetin Sent Luis të Shteteve të Bashkuara, ka kërkuar drejtësi për të birin........

FBI-ja dhe Divizioni për të Drejtat e Njeriut, në Departamentin e Drejtësisë kanë hapur një hetim lidhur me ngjarjen. Departamenti i Drejtësisë, ka dërguar gjithashtu një grup hetimi në zonë. Policia e Sent Luisit, thotë se e vërteta duhet të dalë në shesh.

“Unë dua të vërtetën, ashtu si edhe ju. Ky komunitet nuk mund ta tejkalojë këtë gjendje nëse nuk i jepet një shans drejtësisë të flasë. Protestat nuk janë mënyra më e mirë  për të shprehur respektin ndaj Majkëllit. Nuk do të fokusohemi te hakmarrja, por te e vërteta. Do të ketë hetime të hollësishme. Një njeri humbi jetën, një oficer Policie është i përfshirë. Duhet të bindemi se hetimi do të bëhet si duhet”- deklaroi shefi i Policisë së Sent Luisit, John Belmar.

Ditën e hënë, policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë turmat e njerëzve që protestonin në periferi të lokalitetit Ferguson.

Protestat dolën jashtë kontrollit dhe turma hodhi gurë në drejtim të policisë dhe prej tyre erdhën edhe të shtëna me armë. Të paktën 32 persona u arrestuan ditën e diel pas trazirave që shpërthyen si pasojë e vdekjes së 18 vjeçarit, Braun.

Banorët vandalizuan dyqane, automjete dhe i vunë flakën një ndërtese, teksa policia përpiqej ta bllokonte eksesin në zonat e tjera të qytetit. Teksa qytetarët nisën pastrimin sot, shumë prej tyre u shprehën të bindur se dhuna nuk ka mbaruar me kaq. (Merita Gashi, TVM2)