Maqedoni
Besimi: implementimi i MO-së, kriter për anëtarësim
12.08.2014 17:03
Zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, është një nga prioritetet e Qeverisë së Maqedonisë jo vetëm për të përmbushur kriteret e kërkuara nga BE...

Zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, është një nga prioritetet e Qeverisë së Maqedonisë jo vetëm për të përmbushur kriteret e kërkuara nga BE, por edhe sepse vetëm me implementimin e plotë të dokumentit që solli paqen në Maqedoni e që garanton të drejta të barabarta për të gjitha bashkësitë etnike, mund të arrihet ruajtja e stabilitetit në vend.
Zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi, thotë se Qeveria do të përgatisë një analizë cilësore të përmbushjes së deritanishme të Marrëveshjes së Ohrit, e cila do të vlerësohet në raportin e progresit të Komisionit Evropian.
“Pritet që të realizohet një analizë kualitative e implementimit, e cila do të jetë një bazë për krijimin e politikave, për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit në dekadën e dytë të saj dhe gjithsesi, kjo është me rëndësi si pjesë komplementare e vetë procesit të integrimit të vendit në strukturat euroatlantike, kuptuar këtu Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Gjatë këtij viti, normalisht që duhet të përfundojë, mundësisht para progres-raportit, që të kemi një dokument fillestar, i cili do të jetë një bazë për punë të mëtutjeshme”- deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi.
Komisioni Evropian, vazhdimisht rekomandon marrjen e masave për ndërtimin e besimit mes bashkësive etnike. Implementimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, është kërkesë e vazhdueshme e ndërkombëtarëve edhe 13 vite pas nënshkrimit të saj.
ZEJXHANE OSMANI
