Maqedoni
Vazhdon gjykimi për “27 prillin”, publikohen SMS porositë e ish-kryeparlamentarit
13.11.2018 14:21
Ka vazhduar gjykimi për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend me publikimin e SMS porosive dhe mesazheve në Vajber....

Ka vazhduar gjykimi për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend me publikimin e SMS porosive dhe mesazheve në Vajber të lëshuara nga telefoni celular i ish kryetarit të Kuvendit, Trajko Veljanovski, nga muaji shkurt deri në muajin maj të vitit 2017.
Prokurorja, Villma Ruskoska, para fillimit të seancës paralajmëroi se telefoni i ish-kryetarit të Kuvendit, Trajko Veljanovski, do të jetë mjet i hetimit për të parë se çfarë porosish janë dërguar dhe nëse të njëjtat mund të involvojnë ose jo ish-kryeparlamentarin në të gjithë atë që ndodhi në kuvend më 27 prill të dy viteve më parë. Sipas dëshmive nga telefoni i Velianovskit, ai pikërisht më 27 prill në orën 17:48 min. ka lëshuar një porosi deri tek Goran Goshevski:
Veljanovski: “Të jeni të gatshëm”.
Goshevski: “Po. Të gjithë e dinë, edhe ata të MPB-së”.
Veljanovski: “Thuaju të hynë dy persona brenda dhe mos t’i lejojnë të ulen në vendin tim”.
Edhe në porositë e marra përmes Vajberit nga deputeti, Dimitar Stefanangjia, shihet qartë se Veljanovski ishte gati për të ndërhyrë nëse diçka ndodhte.
Stefanangjia: “Si janë punët?”.
Veljanovski: “Gjithçka është gati. “Tvërdokornit” presin urdhër. Kryesorja, gjithçka është gati”.
Stefanangjia: “Patjetër të ketë një lider kredibil dhe një masë kritike”.
Veljanovski më datë 25 shkurt, i ka lëshuar edhe porosi ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski.
Veljanovski: “Unë mendoj se mitingu është më mirë të mbahet të shtunën, do të ketë më shumë kohë për përgatitje. Nuk do të ketë reshje dhe deri atëherë edhe më shumë do të elektrizohen njerëzit”.
Janë lexuar edhe porositë dërguar ish-ministres së brendshme, Jankullovska, me vlerësime për mbarëvajtjen e tubimit të 27 shkurtit si dhe porosi të tjera të ndërlidhura.
Për ngjarjet e 27 prillit fajësohen 32 persona për veprën “terrorizëm, rrezikimin e rendit kushtetues dhe ndihmesë në të njëjtën”. Në bankën e të akuzuarve janë edhe: Luben Arnaudovski, Sasho Vasilevski, Krsto Mukovski, Lubço Dimovski, Johan Tarçullovski e Mitko Çavkov.
FITIM KRYEZIU
