Maqedoni
“Titanik 3”, vazhdon dëgjimi i dëshmitarëve. Anulohet gjykimi për “Titanik 2”
13.11.2018 14:33
Gjykimi për lëndën e PSP-së "Titanik 3" vazhdoi me dëgjimin e 5 dëshmitarëve të prokurorisë dhe mbrojtjes....

Gjatë dëshmisë së tyre ata arritën të identifikojnë nënshkrimin e tyre në procesverbalet e formuara ditën e zgjedhjeve. Në cilësinë e ish kryetarëve dhe ish anëtarëve të disa komisioneve zgjedhore, thanë se votimi ka kaluar qetë, pa incidente dhe pa parregullsi zgjedhore. Të gjithë thanë se në bazë të dispozitave ligjore i kanë numëruar dhe plotësuar pa gabime procesverbalet e vendvotimeve dhe në mënyrë ligjore të njëjtat i kanë dorëzuar në komunën Çair.
Në këtë lëndë të dyshuar janë Ejup Alimi dhe ish sekretari i Komisionit Komunal Zgjedhor në Çair, Ismet Guri, që akuzohen se me veprimet e tyre si anëtarë të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Çair në zgjedhjet lokale në vitin 2013, kanë ndikuar drejtpërdrejt mbi rezultatin zgjedhor dhe kanë shkaktuar parregullsi zgjedhore në favor të kandidatit të BDI-së në Çair. Kjo është lënda e parë e PSP-së ku të akuzuar janë funksionarë të BDI-së.
Për më 3 dhjetor, ndërkohë, u anulua seanca gjyqësore për lëndën “Titanik 2” të PSP-së, në të cilën duhej të prezantoheshin dëshmi materiale.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Ognen Stavrev, dha afat prej tre ditësh te mbrojtja të prononcohet nëse dikush prej të akuzuarve do të propozojë dëshmitarë. Në fillim të seancës, Stavrevi i njoftoi të pranishmit se i ka pranuar si dëshmitarë Lupka Guguçevskan, Admir Shabanin dhe Lubomir Atanasovskin dhe se rregulloren e parakohshme e ka pranuar si dëshmi materiale.
Ndërkaq, informoi se janë refuzuar disa parashtresa të Bedredin Ibraimit për të cilat i akuzuari, i revoltuar nga mbrojtja, tha se nëse është kështu, ai më nuk do të vijë në seanca. Gjykatësi Stavrev njoftoi atë se një veprim i tillë do të detyrojë gjykatën të ndërmarrë masa të cilat nuk do të jenë në dobi të tij. Ibrahimi, i mllefosur, u përgjigj se “bëni çfarë të doni meqë nuk më lejoni t’i jap dëshmitë e mia”.
Në lëndën “Titaniku 2” të akuzuar janë lideri i PDSh-së, Menduh Thaçi, ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, si edhe anëtarët e mëparshëm të KShZ-së, Bedredin Ibraimi, Anta Stefanovska, Vllatko Sajkovski dhe Sasho Sërçev.
FLORIJE BELULI KAMBERI
