Maqedoni
Fletëarresti ndaj Gruevskit, Zaev: Nuk ndërhyjmë në punën e gjyqësorit; VMRO-DPMNE: Po keqpërdoren institucionet
13.11.2018 16:52
Kryeministri, Zoran Zaev, pret konfirmim zyrtar të lajmit se ish kryeministri, Nikolla Gruevski, gjendet në Budapest....

Ai kërkon që organet e rendit të lihen të kryejnë punën e tyre. Zaev tha se MPB ka vepruar njësoj si për çdo qytetarë tjetër kur lëshohet urdhër-arrest. Ai beson se procesi do të zhvillohet duke respektuar të drejtat e njeriut.
“Fillimisht nuk e dimë nëse bëhet fjalë për arratisje apo jo. Duhet ta konstatojmë. T’i lëmë shërbimet të punojnë. Nuk mund të caktoj përgjegjësi. Pse, sepse të gjitha shërbimet kanë vepruar si zakonisht për çdo qytetarë. Gjykata kur dorëzon aktin ditëve të premte për vuajtje të dënimit me burg lejon që të kalojë vikendi për vendimin sikur për të gjitha rastet tjera. Dhe ditën e hënë deri tek MBP-ja rreth orës 16 ka arritur fletë-arresti dhe MPB po e kryen punën e saj. Besoj se kemi arsye që të shpresojmë se ky do të jetë një proces në kornizat e të drejtave të njeriut”,- tha kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
Zaev tha se Qeveria nuk ka negociuar me askënd dhe nuk ka ndërmend të ndërhyjë në punën e gjyqësorit. Nga VMRO-DPMNE ndërkohë akuzojnë qeverinë për keqpërdorim të institucioneve shtetërore dhe keqtrajtim të anëtarëve të tyre.
“Dje ishim dëshmitarë të keqpërdorimit klasik të institucioneve për qëllime politike. Mediat dhe opinioni e dinin që policia nuk kërkon askënd në shtabin e VMRO-DPMNE-së, por vetëm se bën presion dhe frikëson. Radmilla Sheqerinska dhe Oliver Spasovski të përgjigjen për praninë e veturës së Ministrisë së Mbrojtjes tek selia e partisë. Ftojmë kontrollin e brendshëm të MPB-së të hetojë se kush i informoi mediumet për aksionin e policisë. Kërkojmë nga Avokati i Popullit të nisë lëndë për maltretimin e familjarëve të Gruevskit dhe anëtarëve tjerë të partisë",- theksoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
Në pyetjen nëse kanë dijeni se Gruevski gjendet në Hungari, nga VMRO-DPMNE thonë se nuk kanë idenë se ku gjendet ish kryetari i tyre. “Nuk kam informacione as për kërcënimet që ka marrë, megjithatë besoj se është ashtu”,- tha shkurt Arsovski.
NAIM RAMADANI
