Maqedoni

Gruevski bëhet “i gjallë”, poston status në FB: Jam në Budapest, kërkoj azil

13.11.2018 16:57

Teksa ende askush nuk ka një ide të qartë se ku gjendet ish kryeministri, ndaj të cilit policia ka shpallur fletëarrest kombëtar....

Teksa ende askush nuk ka një ide të qartë se ku gjendet ish kryeministri, ndaj të cilit policia ka shpallur fletëarrest kombëtar, pasi nuk u paraqit për të vuajtur dënimin me 2 vite burg për në lëndën “Tanku”, vetë Gruevski në profilin e tij në Facebook ia ka bërë të qartë organeve të rendit, mediave  dhe opinionit se ku gjendet aktualisht. Ai ndodhet në Budapest sipas këtij postimi, madje ka kërkuar edhe azil politik nga autoritetet hungareze.
 
“Ditëve të fundit kam marrë numër të madh të kërcënimeve për jetë. Unë jam në Budapest dhe kam kërkuar azil politik nga autoritetet hungareze. Gjithmonë do t’i jem besnik kauzës për Maqedoninë, asnjëherë nuk do të heq dorë”,- thuhet në postim, megjithëse ende nuk është e qartë nëse i njëjti është shkruar nga ish kryeministri apo dikush tjetër që menaxhon profilin.
 
Numri një i uniformave blu, Oliver Spasovski, fajësoi organet gjyqësore për situatën, me argumentin se duhet të kishin caktuar masën e paraburgimit, duke qenë se Gruevski po gjykohet ndërkohë për vepra të tjera edhe më të rënda. Edhe shpallja e një fletëarresti ndërkombëtar, sipas tij, është punë e gjykatës.
 
“I lëshojnë në liri që të qarkullojnë brenda vendit që të kryejnë punët e tyre, e në fund kur merret vendimi, nuk sjellin edhe masë paraburgimi për t’u siguruar edhe kur ndaj të akuzuarve ka më shumë vepra penale të hapura. Ka paraburgime për plaçkitje apo vjedhje të rënda, por jo vepra të tilla. Policia punon vetëm sipas urdhrave të gjykatës, pa një urdhëresë të tillë nuk mund të jemi në çdo moment pranë tij vetëm sepse ka një proces gjyqësor. Është jashtëligjore nëse ne vazhdojmë të ndjekim njerëzit siç bëhej në të kaluarën, kjo do të ishte problem serioz. Çdo ndjekje duhet të bazohet në ligj”,- tha ministri i brendshëm, Oliver Spasovski.
 
Edhe  avokati, Vullnet Paçuku, është i mendimit se gjykata duhej të kishte menduar edhe për mundësinë e arratisjes së Gruevskit, duke përcaktuar masën e paraburgimit që në fillim të procesit gjyqësor për rastin “Tanku”. 
 
“Sipas mendimit tim, problemi qëndron në moscaktimin e masës së sigurisë ose të paraburgimit ndaj të njëjtit të akuzuar, e cila siguron personin ndaj të cilit udhëhiqet një procedurë penale për praninë e tij gjatë gjithë procedurës dhe në fund eventualisht për vuajtjen e dënimit”,- u shpreh avokati, Vullnet Paçuku.
 
Ministria e Drejtësisë pret informacion zyrtar nga MPB se deputeti i dënuar, Gruevski, është në arrati, e pastaj do të ngre procedurë ekstradimi. Nga Ambasada hungareze ishin të pakapshëm për komente apo konfirmim nëse Gruevski tashmë gjendet në Hungari. Portalet hungareze ndërkohë kanë konfirmuar se ish-kryeministri i Maqedonisë ndodhet në Budapest dhe kërkon azil politik, duke potencuar faktin se Gruevski ka pasur marrëdhënie të fshehura me kryeministrin hungarez, Viktor Orban.
 
REXHEP QAMILI