Më 14-22 nëntor 1908 mbushen 110 vjet nga Kongresi i Alfabetit
14.11.2018 14:01
Më 14 nëntor 1908, në Manastir filloi punimet Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit, që kishte si qëllim krijimin e një alfabeti të njësuar mbarëshqiptar...

Në këtë kongres, që zgjati deri në 22 nëntor, të pranishëm ishin 150 delegatë nga të gjitha trojet shqiptare si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt e Amerikë. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, djali i Abdyl Frashërit, që në atë kohë ishte redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik, “Liria” dhe “Dituria”.
Sekretare e Komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së vashave në Korçë. Nënkryetar u zgjodh Grigori Cilka nga Korça si dhe 11 anëtarë të tjerë. Kumtesa e mbajtur nga at Gjergj Fishta, preku të gjithë pjesëmarrësit. Kërkesa ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin. Dhe Kongresi vendosi me votë unanime për të lenë mënjanë alfabetin e Stambollit dhe të shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja, alfabet që përdoret në ditët tona.
Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një kongres i dytë, në Janinë, për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve, gegë dhe toskë, në një gjuhë të njësuar shqipe. Kongresi vendosi ngritjen e Shtypshkronjës Shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave shqipe.
GYLTENE SINANI
