Maqedoni

“Titanik” shtyhet për më 23 nëntor, PSP fajëson gjykatën për arratisjen e Gruevskit

14.11.2018 15:45

Arratisja e ish kryeministrit, Nikolla Gruevski, dhe paraburgimi i të dyshuarve, Mile Janakievski dhe Kirill Bozhinovski

Arratisja e ish kryeministrit, Nikolla Gruevski, dhe paraburgimi i të dyshuarve, Mile Janakievski dhe Kirill Bozhinovski, pamundësuan mbajtjen e seancës gjyqësore për rastin “Titanik”. Gjykatësi i rastit është informuar me vonesë për arrestimin e nuk ka pasur kohë të dërgojë kërkesë zyrtare për sjelljen e tyre nga burgu i Shutkës. PSP arsyeton paraburgimin e tyre për shkak të dyshimeve për arratisje. Për arratisjen e Gruevskit, Specialja fajëson gjykatën që nuk lëshoi urdhër paraburgimi por vetëm masë kujdesi.
 
“PSP në të gjithë periudhën e kaluar vazhdimisht ka apeluar dhe ka dorëzuar kërkesë për masën e paraburgimit të të akuzuarit, Nikolla Gruevski, dhe të gjithë të akuzuarve tjerë në rastin “Titanik””,- tha prokurorja në Prokurorinë Speciale Publike, Lile Stefanova.
 
Prokuroria kërkoi që Gruevski të gjykohet në mungesë, propozim ky që u kundërshtua nga mbrojtja, e cila kundërshton edhe paraburgimin e Jankievskit dhe Bozhinovskit.
 
“Nuk ka ndonjë arsye të mos ndahet procedura, pse të gjykohet në mungesë dhe të bëhen harxhime të panevojshme. Sa i përket Janakievskit dhe Bozhinovskit, nëse do të kishin pasur për qëllim që të arratisen, sigurisht që nuk do të gjendeshin në shtëpi nga organet kompetente”,- tha avokati, Alen Milanov.
 
Fjalën e saj se nuk do të arratiset e dha ish ministrja e brendshme, Jankullovska, e cila nuk pret që edhe për të gjykata të japë vendim paraburgimi. 
 
“Për mua ka të shqiptuara masa nga ana e gjykatës, i respektoj të njëjtat dhe mendoj se nuk ka nevojë për shqyrtim të vendimit të gjykatës, ose shqiptimin e masave tjera”,- tha ish ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska.
 
Seanca e radhës për rastin “Titanik” është paraparë të mbahet më 23 nëntor.
 
REJHANE BUSHI METAJ