Botë
Kosovë: 40 të arrestuarit para gjykatës
12.08.2014 18:10
40 personat e arrestuar dje nga Policia e Kosovës me akuzën e terrorizmit dhe pjesëmarrjes në luftërat jashtë vendit...

40 personat e arrestuar dje nga Policia e Kosovës me akuzën e terrorizmit dhe pjesëmarrjes në luftërat jashtë vendit, si pjesë e organizatave të shpallura terroriste ISIS dhe Al-Nusra , dolën sot para gjykatës.
Të arrestuarit u shoqëruan nën masa të forta sigurie nga ana e Policisë së Kosovës dhe forcave speciale. Njëri prej të arrestuarëve dyshohet se kishte në plan të kryente një sulm në Doku Fest, ngjarja më e madhe kulturore në Kosovë.
I njëjti person, ka pasur për qëllim të dërgojë mesazh se Prizreni është qytet mysliman si kundërpërgjigje e donacioneve amerikane për festivalin.
Hetimet e luftës kundër terrorizmit vazhdojnë dhe në mesin e të dyshuarve ka edhe imamë xhamish, ndonëse ata nuk janë arrestuar. Në kuadër të operacionit policor është mbyllur edhe xhamia që ka funksionuar në mënyrë ilegale dhe ku dyshohet se në kuadër të mësimeve fetare është bërë edhe rekrutimi i njerëzve për luftën në Sirisë.
Nga 40 të arrestuarit autoritetet vetëm për 2 prej tyre nuk kanë informacione se kanë qenë në luftën e Sirisë. Policia konfirmoi se janë bastisur 60 lokacione në gjithë Kosovën.
Numri i të kërkuarëve kalon 200-n, ndërsa në mesin e tyre është edhe një femër 23-vjeçare nga komuna e Prishtinës, e cila dyshohet se ka shkuar në Siri.
Në listën e policisë, është edhe serbi me inicialet D.J nga komuna e Parteshit, i cili së fundmi është konvertuar në mysliman dhe ndodhet në Siri. Autoritetet dyshojnë se D.J është i infiltruar nga shërbimi sekret serb.
