Pjesët për tanket T-55, Supremja shfuqizon vendimin për Buçkovskin

14.11.2018 16:11

Gjykata Supreme ka shfuqizuar vendimin e dënimit kundër ish kryeministrit, Vllado Buçkovski....

Gjykata Supreme ka shfuqizuar vendimin e dënimit kundër ish kryeministrit, Vllado Buçkovski, të akuzuar për procedurë joligjore në blerjen e pjesëve të tankeve për nevoja të ushtrisë në kohën kur ishte ministër i mbrojtjes.

Vendimet janë shfuqizuar edhe për ish shefin e Armatës, Metodi Stamboliski, drejtorin e Metpor-it, Mitre Petkovski, dhe për të punësuar të tjerë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe lënda i është rikthyer edhe një herë për rigjykim Gjykatës Penale. Ata akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi kanë blerë përmes procedurës joligjore, siç u arsyetua në gjykatë, pjesë rezervë për tanket T-55, duke dëmtuar buxhetin shtetëror prej 2 milionë euro.

Në janar të 2015, Supremja vendosi të shtyjë ekzekutimin e dënimit, duke pranuar kërkesën e Buçkovskit për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit të formës së prerë.

Në këtë mënyrë, Buçkovskit iu lejua edhe një herë të shpjegojë  pretendimet e tij se në gjykimin në rastin "pjesë të tankeve" nuk ekziston korrupsion. Gjykata e shkallës së parë dënoi Buçkovskin dhe Stamboliskin me 3 vite burg, dënim ky që u zvogëlua në 2 vjet nga Apeli. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)