Maqedoni
Arratisja e Nikolla Gruevskit, Zaev: Do të ekstradohet dhe do të vuajë dënimin
14.11.2018 16:14
Kryeministri, Zoran Zaev, edhe një herë përsëriti se organet e rendit kanë vepruar në mënyrë të përpiktë sipas ligjit.....

Ai beson se Hungaria, si anëtare e BE-së, nuk do të lejojë të mbrojë kriminelë që i kanë shkaktuar dëm qytetarëve të tij.
“Kemi vepruar sipas asaj që jemi të obliguar me ligj. Kemi shpallur urdhër-arrest ndërkombëtar. Kërkojmë që të ekstradohet z. Nikolla Gruevski prapë në shtet. Nga Hungaria pritet që si shtet të jetë shembull i cili nuk do të mbrojë kriminelë që u kanë shkaktuar dëm qytetarëve të RM-së”,- tha kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
Zaev konfirmoi se ministri i brendshëm, Oliver Spasovski, ka kontaktuar kolegun e tij hungarez, ndërkaq ky i fundit ka kërkuar të dhëna rreth Gruevskit. Zaev nuk pret që Hungaria, si vend i BE-së, të mos e respektojë sundimin e së drejtës.
“Unë besoj se nëpërmjet miqësisë së të dy vendeve, pavarësisht nga miqësitë personale, pra bëhet fjalë për dy vende miqësore, se do të veprojnë sipas së drejtës dhe rregullativave ndërkombëtare të cilat i kanë nënshkruar dy vendet dhe se Hungaria do ta dorëzojë Nikolla Gruevskin shumë shpejt”,-tha kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
Kryeministri, Zoran Zaev, ka hedhur poshtë spekulimet se ka pasur marrëveshje me ish-kryeministrin Gruevski. Ai pret që Gruevski të ekstradohet në Maqedoni dhe të vuajë dënimin.
“Kategorikisht dhe ashpër i hedh poshtë të gjitha spekulimet se ka pasur çfarëdo lloj marrëveshje politike me Nikolla Gruevkin. Jam i bindur se koha do të tregojë se Gruevski do të kthehet prapa, do të vuajë dënimin dhe do të dalë para gjyqit dhe të mbrohet, ndërkaq sistemi të dëshmojë se është fajtor edhe për vepra tjera”,- u shpreh kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
Zaev gjithashtu tha se është urdhëruar që të hetohet nëse Gruevski është lëshuar nëpër vendkalimet kufitare dhe nëse janë bërë lëshime nga policia kufitare. Rezultatet do t’i shpalosim hapur, nënvizoi Zaev.
NAIM RAMADANI
