Maqedoni
Paraburgim Janakievskit dhe Boxhinovskit, PSP: Kishim informata se donin të arratiseshin
14.11.2018 16:59
Pas arratisjes në Hungari të ish kryeministrit Gruevski, të dënuar me vendim fuqiplotë me dy vite burg për rastin “Tanku”....

Pas arratisjes në Hungari të ish kryeministrit Gruevski, të dënuar me vendim fuqiplotë me dy vite burg për rastin “Tanku”, Policia ka paraburgosur me urdhër të gjykatës dy të dyshuar të tjerë të PSP-së, ish ministrin e transportit, Mile Janakieskin, dhe ish-sekretarin e përgjithshëm të qeverisë, Bozhinovskin. PSP arsyetoi kërkesën me faktin se për të njëjtin kanë marrë informacione se janë përgatitur të arratisen.
“Gjatë ditës së djeshme kemi marrë informacione sipas të cilave jo vetëm i dyshuari, Nikolla Gruevski, i cili është në arrati, por për t’u arratisur në mënyrë të njëjtë janë përgatitur dhe Kiril Bozhinovski si dhe Mile Janakieski”,- tha prokurorja speciale, Lile Sefanova.
Një masë e tillë ndërkohë nuk është kërkuar për ish ministren e brendshme, Jankullovskën, e cila është dënuar me 6 vite burg për rastin “Tanku”. Ajo e dha fjalën se nuk do të arratiset, prandaj nuk pret që edhe për të gjykata të japë vendim paraburgimi.
“Unë i respektoj masat për përkujdesje, nuk ekziston asnjë shkak që të ndryshojnë. Nuk ka arsye pse të më përcaktohet masë paraburgimi”,- tha ish ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska.
Janakieski dhe Bozhinovski u është përcaktuar paraburgim prej 30 ditësh dhe janë dërguar në burgun hetimor “Shkup” në Shutkë. Ata akuzohen në disa lëndë të PSP-së për të cilat udhëhiqen procedura gjyqësore.
ZEKIRIJA MEXHITI
